Republikani Donald Trump njoftoi se është informuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare se Irani po ndërmerr hapa seriozë për eliminimin e tij.
“Kërcënime të mëdha për jetën time nga Irani. E gjithë ushtria amerikane po shikon dhe pret. Irani ka bërë disa lëvizje që nuk funksionuan, por ata do të provojnë përsëri. Nuk është një situatë e mirë për askënd. Jam i shoqëruar nga më shumë burra dhe armë, seç kam parë ndonjëherë më parë. Faleminderit Kongresit që në mënyrë unanime miratoi shumë më tepër para për Shërbimin Sekret – 0 vota kundër. Është mirë të shoh republikanët dhe demokratët të bashkohen për diçka”, tha Donald Trump.
Drejtori i komunikimit të fushatës Trump, Steven Cheung, tha se zyrtarët e inteligjencës kanë zbuluar se kërcënimet iraniane “janë rritur në muajt e fundit” dhe se Qeveria amerikane po punon për mbrojtjen e ish-presidentit për t’u siguruar se zgjedhjet nuk do të ndikohen.
Sa i përket atentatit më 15 shtator, sulmuesi 58-vjeçar Rayan Routh, tashmë akuzohet për përpjekje për të vrarë një kandidat për president. Gjithashtu ndaj tij rëndojnë dy akuza të tjera për armëmbajtje të paligjshme.
Prokurorët e çështjes njoftuan zbulimin e një letre të shkruar nga sulmuesi i Trump, e cila bazohej në hipotezën se përpjekja për ta vrarë ish-Presidentin do të dështonte dhe se ai ofronte 150 mijë dollarë për këdo që do ta mbaronte këtë punë.