Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia vetëm nëse detyrohet mund të arrijë paqe, teksa në paraqitjen e tij para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e cilësoi Korenë e Veriut dhe Iranin si “bashkëpunëtorë” të Rusisë në luftën kundër Ukrainës. Zelenksy tha se Rusia tha se thirrjet e Moskës për dialog janë të pasinqerta. “E dimë se disa në botë duan të flasin me [presidentin rus, Vladimir] Putin”, tha Zelensky, “për të dëgjuar ndoshta prej tij se është i zemëruar se ne po ushtrojmë të drejtën tonë për të mbrojtur popullin tonë”.
Zelensky i cilësoi pikëpamjet e tilla si “çmenduri”.
“[Presidenti rus, Vladimir] Putin ka thyer shumë norma dhe rregulla ndërkombëtare dhe ai nuk do të ndalet vetë. Rusia vetëm nëse detyrohet mund të arrijë paqe dhe kjo është pikërisht ajo që na duhet, ta detyrojmë Rusinë në paqe, si agresoren e vetme në këtë luftë, shkelësen e vetme të Kartës së OKB-së”, tha Zelensky.
Udhëheqësi ukrainas tha se lufta një ditë do të mbarojë, por jo për shkak se “dikush u lodh nga lufta”, apo përmes tregtisë me Putinin, referencë për propozimet që Ukraina duhet të heqë dorë nga territori që Rusia ka marrë nën kontroll gjatë luftës.
“Kjo luftë nuk mund të qetësohet përmes bisedimeve. Nevojitet veprim”, tha Zelensky, duke falënderuar shtetet që i kanë ofruar ndihmë shtetit të tij.
Zelensky po ashtu kritikoi Iranin dhe Korenë e Veriut, shtete që gjerësisht janë akuzuar nga inteligjenca perëndimore se po e furnizojnë me armë Rusinë, përfshirë edhe me raketa iraniane me rreze të shkurtër veprimi.
“Rusia nuk ka asnjë arsye legjitime që t’i bëjë Iranin dhe Korenë e Veriut bashkëpunëtorë de facto në luftën e saj kriminale në Evropë. Armët e tyre po na vrasin, po vrasin ukrainas”, tha Zelensky.
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, iu adresua Këshillit të Sigurimit, duke kundërshtuar praninë e Zelenskyt në këtë takim.
“Shtetet perëndimore nuk mundën që edhe njëherë të helmonin atmosferën, duke tentuar që ta shpenzonin kohën për këtë mbledhje me çështjen banale të Ukrainës”, tha Nebenzia gjatë takimit.
Ndërkaq, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kërkoi veprim ndërkombëtar kundër Iranit dhe Koresë së Veriut lidhur me mbështetjen që i japin luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“Mbështetja nga Teherani dhe Pheniani po i ndihmon Putinit që të shkaktojë dhimbje, të shkatërrojë jetën e ukrainasve të pafajshëm”, tha Blinken, duke shtuar se këto dy shtete “kanë shkelur disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u tha 15 anëtarëve të Këshillit se lufta e Rusisë kundër Ukrainës qartësisht përbën shkelje të Kartës themeltare të OKB-së.
“Dënoj fuqishëm të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe objektet civile, kudo që ndodhin dhe kushdo që është përgjegjës për to. Që të gjitha duhet të ndalen menjëherë”, tha ai.
Ndryshe, Zelensky gjatë qëndrimit në SHBA, do të takohet të mërkurën me presidentin amerikan, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë.
Ai pritet që t’ia shpalosë Bidenit atë që e ka përshkruar si plan të fitores, për t’i dhënë fund luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.