Një ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në kryeqytet, ku një grua kapte prej dore një vajzë të vogël në një market, duke dalë fillimisht jashtë, e më pas duke u rikthyer sërish, ka shokuar qytetarët. Të shumtë kanë qenë ata, të cilët e kanë cilësuar rastin si një tentativë rrëmbimi, por në lidhje me këtë ngjarje tashmë ka reaguar edhe policia e Tiranës. Sipas njoftimit të uniformave blu, efektivët e Tiranës kanë identifikuan gruan, që kreu këtë akt. Në njoftim, thuhet se 57-vjeçarja R.B dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ndaj saj ka nisur hetimi për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 15.09.2024, i cili bën fjalë për një ngjarje të ndodhur në Rrugën e Barrikadave, ku brenda një marketi një shtetase ka marrë në krahë një të mitur 2-vjeçe, ka dalë nga marketi dhe më pas është rikthyer sërish, ju njoftojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasen R. B., 57 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 57-vjeçaren, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 110/22 i Kodit Penal.
Materialet i kaluan Prokurorisë”