Një velierë, e cila kishte ngecur në bregdetin e fshatit Karpen, në Kavajë, u gjet nga policia kufitare pasditen e kësaj të enjteje. Veliera është gjetur në rërë, disa metra larg nga bregu, ndërsa mbetet mister se ku ndodhet drejtuesi i saj, që është shtetas gjerman. Sipas asaj që njofton policia, Shërbimet kufitare po monitoronin zonën, kur konstatuan mjetin lundrues që bënte lëvizje të pakontrolluara, e më pas ngeci në rërë. Gjatë kontrollit të mjetit lundrues, janë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë tip “Walther”, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues, po ashtu dhe një pasaportë gjermane me gjeneralitetet F. R., 85 vjeç.
Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n paraprakisht rezulton se mjeti lundrues është nisur nga Bari, Itali, me drejtim Kroacinë, fillimisht me lundrim normal dhe më pas me lëvizje të çrregullta. Grupi hetimor i ngritur për këtë rast po bashkëpunon me Interpol Tiranën, për verifikimin e të dhënave të pasaportës që është gjetur në mjetin lundrues, me qëllim sqarimin e rrethanave të këtij rasti dhe përcaktimin e vendndodhjes së poseduesit të pasaportës, i cili dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit lundrues. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se drejtuesi i velieres mund të ketë rënë në det, për shkak të dallgëve të larta të shkaktuara nga moti i keq, informoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.