Dorëzohet zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Pas shumë protestash dhe ankesash të vazhdueshme të banorëve dhe qytetarëve të Krujës, më në fund, Belinda Ballku ka vendosur të pranojë kërkesat e tyre. Balluku, është tërhequr duke pranuar kërkesat mëse legjitime për të krijuar akses në rrugën e re Thumanë-Kashar, për rreth 85 mijë banorë të Krujës, Fushë Krujës, Niklës, Thumanës etj.
Pavarësisht se në projektin fillestar ishin parashikuar nyjet lidhëse mes aksit të ri dhe rrugës së vjetër, në zbatim këto nyje nuk ishin respektuar çka ka detyruar banorët e zonës të protestojnë për disa muaj me radhë.
Në fakt lajmin nuk e ka publikuar vet ministrja, por një prej banorëve të Krujës. Sabah Sheta, organizator i protestave në aksin Thumanë-Kashar, ku autostrada e re, ka izoluar pothuajse 85 mijë banorë, me anë të një postimi në rrjetet sociale, njofton se Qeveria është tërhequr, ndërsa krutanët do të ketë hyrje dhe dalje në aksin e rruges Thumanë-Kashar.
“Sot është një ditë e shënuar për banorët e Bashkisë Krujë. E tillë u kthye fal bashkërezistencës me vëllezërit të mi nga Kruja, Fushë -Kruja Nikla, Cudhia, Bubqi dhe Thumana”-shkruan në statusin e tij në Facebook, Sheta.
Sheta ndër të tjera në statusin e tij, shkruan se vendimi është marr pas një mbledhjeje, që një përfaqësi e qytetarëve të Krujës, kanë zhvilluar me ministren Balluku.
“Pas një takimi që patëm si përfaqësi e qytetarëve të Krujës me zv.kryeministren dhe ministren e Transporteve Belinda Balluku prej saj në emër të qeverisë u pranua kërkesa jonë e drejtë dhe legjitime për të patur akses në rrugën Thumanë-Kashar. U bë e mundur që qeveria shqiptare të tërhiqet nga izolimi që i bënë mijëra bizneseve dhe 85 mijë banorëve të Krujës”, njofton Sabah Sheta, i cili është kryetar i degës së Demokratëve Euroatlantikë për Krujën.
Në vijim ai shprehet se ky vendim nuk është lëmoshë dhe dhuratë për ne, por një e drejtë e mohuar nga ekzekutivi, dhe e fituar nga qytetarët pas protestave sistematike, rezistencës së qytetarëve.
“Premtimi që i bëmë njëri-tjetrin për të mos bërë asnjë hap pas, ajo që na mundësoi uljen në tavolinë sot me znj.Balluku, prej së cilës morëm premtimin që qytetarëve të Bashkisë Krujë do tu kthehet ajo që kishin; akesin (hyrje dhe dalje) në rrugën e re Thumanë-Kashar.
Veç falënderimit për secilin që na jeni bashkuar në çdo protestë, kam një mirënjohje për atë çfarë bëtë duke lënë punët tuaja të përditshme për të iu bashkuar kësaj kauze.
Të nderuar vëllezër! Pa ju nuk do ta kishim të mundur të korrnim këtë fitore. NE e kishim bërë të qartë që nuk do të tërhiqeshim, ata e dëgjuan me zë dhe figurë, e panë përmes akteve tona, ndaj sot ishte ministrja e Transporteve Balluku që “vrau” indiferencën duke i kushtuar vëmendje këtij problemi që për në shkaktonte kosto sociale dhe ekonomike sepse Kruja është dhe një zonë turistike dhe historike.
Duke vlerësuar premtimin dhe vendimin e Ministrisë së Transporteve për t’u tërhequr nga qëndrimi fillestar dhe kokëfortë i tyre dhe dhënien e zgjidhjes, duke iu dhënë qytetarëve të Krujës mundësinë të hynë dhe dalin në aksin e rrugës Thumanë-Kashar, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta përshëndesim këtë qëndrim dhe pse të vonuar, por ndërkohë do ta monitorojmë zbatimin e tij.
Vëllezër edhe njëherë FALEMINDERIT dhe MIRËNJOHJE për secilin! BASHKË ia DOLËM!”, përfundon statusi i organizatorit të protestës për autostradën Thumanë-Kashar, Sabah Sheta.