Vrasja e muratorit shqiptar Shpëtim Ayvazi mbrëmjen e të dielës së 25 Gushtit në Machelen, periferi e Brukselit në Belgjikë, nga fqinji i tij italian, Renato F., ka lënë shumë dhimbje pas tek familjarët e të njohurit. (lexo këtu)
Dhe pikërisht mosmarrëveshjet për vendet e parkimit në këtë zonë të cilësuar si “luksi” apo “shumë e lakmuar”, ka sjellë edhe denigrimin e situatës në gjakderdhje: 43-vjeçari baba i te fëmijëve u vra me plumb në kokë brenda furgonit të tij, kushëriri 19-vjeçar u plagos rëndë në gjoks teksa parkonte veturën e tij “Golf” dhe u tentua vrasja e gruas dhe djalit 15-vjeçar të viktimës.
Hidrauliku 61-vjeçar, fqinj i shqiptarit, tashmë është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim për disa akuza. Dëshmitarët rrëfejnë se sherret kishin nisur prej shumë kohësh dhe si viktima, ashtu edhe autori, dispononin disa makina dhe nuk kishin dakordësi për vendet e parkimit në rrugën para pallatit ku jetonin:
“Për më tepër që kjo është një zonë tepër e shtrenjtë dhe nuk gjen lehtë vende parkimi”, thanë banorët për median belge“Het Laatste Nieuws”.
As policia belge nuk e kishte zgjidhur dot konfliktin e dy burrave, edhe pse kishte ardhur disa herë në lagje pas konflikteve dhe këshilluar hidraulikun Renato F., dhe Shpëtim Ayvazin.
Bashkim Ayvazi, kushëriri tjetër i Shpëtimit, mbetet mosbesues.
“Ne po humbasim një anëtar të familjes për një argument kaq të trashë. A ishte vërtet kjo zgjidhja e vetme? A nuk janë më në gjendje të flasin njerëzit me njëri-tjetrin? Jemi zemërthyer”, tregon ai.