Dy ditë më parë u raportua nga Policia e Durrësit një aksident me pasojë vdekjen e një 63-vjeçari i cili më vonë rezultoi të ishte një avokat i identifikuar me emrin Leonard Dingo.
Mirëpo, kolegët e viktimës hedhin dyshimet se ngjarja mund të jetë e planifikuar dhe jo aksidentale. Kjo për shkak se menjëherë pas përplasjes, drejtuesi i mjetit është larguar me shpejtësi nga zona, duke e lënë Dingon të vdekur në vend.
Sipas avokatëve penalistë, në një deklaratë që kanë lëshuar ditën e sotme, Dingo ka pasur në shqyrtim çështje sensitive, dhe për aksidentin do të duhet që të kishte një hetim më të plotë.
“Ka më shumë se 48 orë që në zonën e Golemit, Durrës ka ndodhur një aksident me tipare të një krimi, që ende nuk është zbardhur. Avokati i mirënjohur Leonard Dingo ka ndërruar jetë si rrezultat i një aksidenti që ka ndodhur pranë shtëpisë së tij në një rrugë dytësore rreth orës 12:00 të datës 20 Gusht. Duke ditur çështjet sensitive që mbronte avokat Dingo dyshimet e arsyeshme të drejtojnë përtej një aksidenti të zakonshëm.
Sipas burimeve konfidenciale deri tani është gjetur makina që ka bërë aksidentin e braktisur në zonën e Shëna Vlashit, është identifikuar targa dhe rrjedhimisht edhe pronar i makinës, por ajo që do t’i jepte rrugë zbardhjes së aksidentit ende është enigmë. Është kryer një krim dhe asnjë i dyshuar apo i ndaluar!”, thuhet në reagimin e avokatëve penalistë.
Ndërkohë mesditën e sotme, Policia e Durrësit në një njoftim të shpërndarë për mediat, thotë se ka gjetur mjetin e braktisur në një fshat pranë qytetit bregdetar dhe ka shpallur në kërkim një 22-vjeçar.
NJOFTIMI I POLICISË:
Aksidentoi 2 ditë më parë, në rrugën dytësore “Plepa-Kavajë”, një 63-vjeçar, me pasojë vdekjen, dhe u largua nga vendi i aksidentit, Policia identifikon drejtuesin e automjetit dhe vijon punën për kapjen e tij. Gjendet dhe sekuestrohet automjeti.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera menjëherë pas aksidentit rrugor të ndodhur rreth orës 01:00, të datës 21.08.2024, në aksin dytësor “Plepa-Kavajë”, ku u përplas me automjet shtetasi L. D., 63 vjeç, i cili si pasojë humbi jetën, në vendngjarje, Policia Rrugore identifikoi dhe shpalli në kërkim drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasin E. K., 22 vjeç, banues në Tiranë.
22-vjeçari, menjëherë pas aksidentit, u largua nga vendngjarja dhe braktisi automjetin, në fshatin Kodër Arapaj. Automjeti u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale.
Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.