Plagosja te “Komuna e Parisit” pasditen e djeshme është vetëm një nga “hallkat” e zinxhirit të krimeve që kanë ndodhur në vend, ku autor është vetë polici.
Ndër vite janë shënuar dhjetëra raste, ku policët janë përfshirë në krime të rënda. Gjë që dëshmon se në dyert e autoriteteve mund të hyjë kushdo. Efektivë të rekrutuar e të patrajnuar që e nxjerrin pa u menduar dy herë revolen nga xhepi.
Nevaldo Hajdaraj-Klodian Rasha 2020
Një nga rastet më tragjike është ai i Klodian Rashës në Laprakë, mëngjesin e 8 dhjetorit 2020. I riu, kishte dalë nga shtëpia, në thyerje të orarit të karantinës së vendosur për shkak të koronavirusit, kur u pikas nga një patrullë policie. Efektivet e ndoqën nga pas dhe e qëlluan për vdekje me plumba pas shpine. Efektivi që qëlloi mbi 25-vjeçarin është Nevaldo Hajdaraj.
Arjan Tase-Jonada Avdiu 2022
Dy vite më parë në plazhin e Potamit të Himarës, më 2 gusht 2022, 7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën tragjikisht teksa po lahej në bregun e detit, pasi u godit nga një gomone, e cila në kundërshtim me rregullat, po lundronte brenda kordonit të sigurisë. Tragjedia u shkaktua nga polici Arjan Tase.
Ludian Zaimi-Caush Saliasi 2022
Ludian Zaimi, polic qëlloi për vdekje kolegun e tij, Caush Saliasin. Ngjarja ndodhi më 23 maj të vitit 2022. Zaimi ishte nën kurim me antidepresantë “seroquel”, medikament që përdoret për të kuruar çrregullime dhe probleme të tjera të rënda të shëndetit mendor, si skizofrenia e çrregullime bipolare.
Koço Buzo-Liliana Buzo 2021
Buzo në muajin maj 2021, vrau me automatik bashkëshorten Luljanën, në sy të fëmijëve. Ish-efektivi e ndoqi pas bashkëshorten e tij dhe e qëlloi nga mbrapa. Vrasja ishte një krim i paralajmëruar. Liljana Buzo e kishte denoncuar bashkëshortin që prej vitit 2020 për dhunë të vazhdueshme.
Sadik Kërteza- Makbule Kërteza- Viktor Mardeda 2021
Efektivi i Policisë së Durrësit Sadik Kërteza vrau me armë zjarri gruan dhe të dashurin e saj. 43-vjeçari, polic i Qarkullimit Rrugor është dorëzuar vetë tek kolegët e tij rreth mesditës, pasi kishte qëlluar për vdekje mbi bashkëshorten, Makbule, 37-vjeçare, nënë e 2 fëmijëve dhe të riun Viktor Mardeda.
Paulin Paçuku-Vitore Paçuku 2022
Polici në Mirditë 62-vjeçari Paulin Paçuku vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij, Vitore Paçuku në 2022. Ata ishin prindër të dy fëmijëve, por në momentin e ngjarjes asnjëri prej tyre nuk ishte në shtëpi, në fshatin Jezull të Mirditës.
Ismet Hysaj- Edlira Doci 2011
Efektivi i policisë private në Tropojë vrau gruan e tij, Edlira Doçin pranë mbikalimit të Kamzës në Tiranë, për shkak të xhelozisë. Pas krimit ai tentoi të largohej me vajzën e tyre 2 vjeç por është arrestuar në Tropojë.
Azir Salahaj- Anila Laze 2008
Efektivi i komisariatit nr. 2 në Tiranë Azir Salahaj qëlloi me një plumb në kokë bashkëjetuesen e tij, Anila Laze për motive xhelozie dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Ali Verteniku- Mimoza Nikolli 2011
Ali Verteniku, efektiv i mjekësisë ligjore pas një grindje të momentit me gruan që bashkëjetonte, Mira Nikollin, me të cilën kishte dy fëmijë, nuk e ka menduar dy herë dhe e ka qëlluar për vdekje me armën e shërbimit.
View this post on Instagram