Xhaxhai i dy vëllezërve që vranë dy persona dje në Velipojë, në një deklaratë për media, tha se sipas tij fajin e ka Prokuroria që kanë liruar një nga viktimat, pas një konflikti pak kohë më parë.
Autorët e dyshuar, Eduard dhe Gëzim Frroku pronarë të një hoteli aty pranë, kanë qëlluar disa herë ndaj Ersild Ishmit dhe Arsid Hoxhës me armë zjarri. Ata kanë gjetur vdekjen pak pasi kanë mbërritur në spital, ku nuk kanë mundur t’u shpëtojnë plagëve. (lexo këtu)
Zef Frroku, xhaxhai i autorëve: Para dy javësh, kanë ardhur dhe janë konfliktuar përpara hotelit të vëllait tim. Ka nxjerrë armën ai zotëria që e kemi parë në TV e ka marrë shteti dhe e ka dërguar në burg, e ka liruar për dy ditë. Mbrëmë kanë ardhur se për kë nuk e dimë, rrezik për ne ose për ata. Ai prokuror dhe ai gjykatës që i ka lëshuar, nuk ka bërë mirë as shtetit, as familjes së tij dhe as neve.
A do të dorëzohen dy vëllezërit?
Zef Frroku, xhaxhai i autorëve: Nuk e di se kur ndodhen, nuk kemi komunikim me ta. Këtij shteti është vështirë me iu dorëzuar kujt, se janë duke e bërë “rrush e kumbulla” këtë vend. Janë duke marrë në qafë njerëzit e ndershëm dhe duke favorizuar kriminelët. Kërkojmë drejtësi, Prokurorët e kanë lëshuar ditën e tretë, nuk merret vesh.
Sipas drejtorit të policisë së Shkodrës, ngjarja e rëndë ka zanafillën tek një konflikt banal në fund të muajit qershor.