Policia e Shkodrës ka arrestuar, Vitor Kolën, 35 vjeç, i cili u shpall në kërkim pasi tentoi të vrasë 39-vjeçarin Gjek Nika, banues në Koman. 35-vjeçari u shpall në kërkim më 25 prill të këtij viti, pasi qëlloi me armë zjarri në drejtim të Nikës pas një konflikti për motive të dobëta.
Nika në atë kohë denoncoi në polici se një person i panjohur qëlloi me armë zjarri drejt mjetit të tij. Pas marrjes së njoftimit, uniformat blu identifikuan autorin e dyshuar, Vitor Kola, rreth 35 vjeç.
“Tentoi të vriste një shtetas, duke qëlluar me pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari i shpallur në kërkim.
Në vijim të kontrolleve dhe punës së inteligjencës policore që kryhen në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, ndaloi shtetasin V. K., 35 vjeç, banues në fshatin Karmë, Vau i Dejës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Më datë 25.04.2024, në Vaun e Dejës, shtetasi V. K. dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë shtetasin Gj. N., 39 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ky shtetas. Nga të shtënat pat vetëm dëme materiale”, njofton policia.