SPAK ka sekuestruar pasuritë e Alket Hatijas, i cili njihet ndryshe edhe si “Zoti i Drogës”. Bëhet me dije se janë sekuestruar apartamente, garazhe, makina dhe aksione kompanie që arrijnë një vlerë të lartë pasurie. Sipas SPAK, këto pasuri dyshohen se rrjedhin nga aktivitete kriminale.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar krahas ushtrimit të ndjekjes penale është kujdesur që të ketë në vëmendje të punës së saj edhe identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të cilat dyshohen se rrjedhin nga krimi.
Në zbatim të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për konfiskimin e pasurive të subjektit Alket Hatija (dhe personave të lidhur me të) i deklaruar fajtor me vendimin nr. 10, datë 26.03.2010, të ish Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për kryerjen e veprës penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal (ky vendim është lënë në fuqi me vendimin nr.966, datë 08.11.2010, të ish Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Tiranë.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.24, datë 31.10.2023, ndërmjet të tjerave ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë:
Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 495 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija.
Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 320 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija;
Pasurinë e paluajtshme e llojit “garazh”, me sipërfaqe 14.74 m2, me adresë Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës, në pronësi të personit të lidhur M. H.
Pasurinë e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 118 m2, me adresë Lagjia nr.1, Rruga “Taulantia”, Durrës, në pronësi të personit të lidhur F.H.
Pasurinë e paluajtshme e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 65 m2, me adresë Kryemëdhenj, Kavajë, në pronësi të shtetasit F. H.;
Automjetin tip autoveturë i markës BMë, prodhim i vitit 2003;
49% të kuotave të subjektit “Aquila Marble” sh.p.k., që i përkasin personit të lidhur M.H.;
Kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kanë ushtruar ankim subjekti Alket Hatija e personat e lidhur me të dhe Gjykata e Posaçme e Apelit Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.137 datë 05.07.2024 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.24, datë 31.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton SPAK.
Hatija, një eksponent i njohur në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, u arrestua në gusht të vitir 2023 në Durrës me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë. 50-vjeçari, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi gjykata e Apelit e kishte dënuar atë me 10 vite burgim.
Hatija akuzohet për transportimin në Milano, në periudhën 2003-2004 të 350 kilogramëve heroinë dhe 190 kg kokainë. Ngarkesa këto me vlerë 35 deri në 45 milionë euro. Hatija njihet si një trafikant i “pastër”, dhe se nuk e prekte asnjë gram të substancës me dorë, por në sajë të telefonatave, ai ishte në gjendje të lëvizte sasi të mëdha drogë.
Ai u lirua nga Gjykatat italiane, në dhjetor 2023 me pretendimin se e ka përfunduar dënimin në Shqipëri.