Ndërkohë që në zyrat e oligarkëve dhe Qeverisë po vërshojnë “lumë” denoncimesh për problemet dhe shkeljet nga më të ndryshmet që prekin drejtpërdrejtë të ardhurat e qytetarëve, Qeveria nuk ua “bëri fjalën dysh” punonjësve të administratës dhe miratoi sot “konceptin e orëve fleksibël të punës”. Tashmë punonjësit e administratës do të kenë mundësi të përcaktojnë vetë kur do të nisin ditën e punës. (lexo këtu)
Kusht është që të plotësohet orari i plotë, pra 8 orë e 30 minuta nga e hëna deri të enjten dhe 6 orë ditën e premte dhe që punonjësit të jenë në punë çdo ditë në oraret 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00. Ndërkohë që pushimet vjetore tashmë llogariten në 22 ditë, pra shtohen 2 ditë.
Siç duket qytetarët duhet të ndjekin fashat orare të administratës për të marrë shërbimet që atyre u nevojiten. Ky vendim që sipas Qeverisë synon efikasitet në Administratë, në thelb është një “hallakatje” për qytetarët të cilët shpesh herë kanë shprehur pakënaqësi nga puna dhe korrektesa e tyre.
“Për të garantuar që administrata publike, të jetë një punëdhënës më tërheqës, parashikohet për herë të parë koncepti i orëve fleksibël, me qëllim jo vetëm optimizimin e gjithë procesit të menaxhimit të burimeve njerëzore në administratën publike, por mbi të gjitha për të garantuar një balancë më të mirë midis punës dhe jetës private të të gjithë punonjësve brenda administratës shtetërore. Punonjësit mund të zgjedhin të nisin ditën e punës më herët dhe ta përfundojnë më herët ose ta nisin më vonë dhe ta përfundojnë më vonë”, shpjegoi ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë kujtojmë se sipas shifrave të INSTAT shqiptarët rezultojnë të dytët në Evropë me orët më të gjata të punës, ndërsa Administrata “e krekosur” punon 3.7 orë më pak në javë se të tjerët.