Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë të lirë avokatin Alban Bengasi, i cili akuzohej se ka porositur vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, ngjarje kjo e ndodhur disa vite më parë.
“Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit Z. A.B. nga ambjentet e paraburgimit, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor.
Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të arsyetuar të vendimit”, thuhet në njoftim.
Emri i Alban Bengasit doli në pah nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili tha se avokati i ka kërkuar që të vrasë ish-bashkëshorten e tij në këmbim të 100 mijë eurove.
Po ashtu, ai deklaroi para hetuesve se avokati më herët ka paguar disa persona për të dhunuar ish-bashkëshorten, akuza që janë mohuar vazhdimisht nga Alban Bengasi. Më herët SPAK, kishte dërguar në Gjykatë dosjen për Bengasin, ku kërkonte dënimin e tij me 6 vite e 6 muaj burg, por GJKKO e dënoi Bengasin vetëm me dy vite burg.