Temperaturat e larta gjatë ditës kanë rindezur disa vatra zjarri në zonat malore të qytetit të Lezhës. Mesditën e sotme një zjarr ka rënë në malin e Rrencit në Lezhë, ndërmjet fshatrave Malecaj e Koljakaj.
Flakët janë përhapur me shpejtësi edhe për shkak të erës, ndërsa rrezikohen edhe disa shtëpi banimi. Të parët që janë angazhuar për të shuar flakët janë banorët e zonës, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar edhe dy mjete zjarrfikëse të Bashkisë Lezhë.
Duke parë përhapjen masive të zjarrit është kërkuar bashkëpunim nga bashkitë fqinje, ku të angazhuar do të jenë një mjet zjarrfikës nga bashkia Mirditë pa personel, një mjet zjarrfikës nga bashkia Vau Dejës dhe një mjet zjarrfikës nga bashkia Shkodër.