Deputetja e PD, Jorida Tabaku kritikoi ashpër Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me propozimin ligjor për krijimin e kompanisë së prodhimit të municioneve.
Ajo e vlerësoi nismën për prodhimin e armëve diçka që mund të ketë efekt pozitiv në ushtrinë shqiptare dhe buxhetin e shtetit por ama u tregua shumë kritike ndaj mënyrës se si qeveria ka sjellë këtë projektligj jo vetëm për procedurën por edhe për atë që përmban ligji.
Tabaku ngriti disa pikëpyetje në lidhje me sigurinë kombëtare dhe aksionet e kompanisë, ajo e pyeti përfaqësuesit e minsitrisë së si do të shiten aksionet dhe si kjo do të jetë në raport me sigurinë tonë kombëtare.
Gjithashtu deputetja e PD u shpreh skeptike në lidhje me shifrën e 3 mln eurove që do jetë për të financuar këtë kompani. Ajo ironizoi vendimin e qeverisë që jep kontrata 430 mln euro për inceneratorët por kur vjen puna për një kompani që sipas qeverisë do sjellë përfitime monetare vlera e kompanisë është 3 mln euro. Tabaku ngriti shqetësime në lidhje me fondet e kësaj kompanie dhe me planin e biznesit të saj.
Fjala e plotë:
Ju e keni quajtur kompaninë KAYO dhe dihet që Shqipëria ka prodhuar municione në kohën e regjimit komunist por prej 30 vitesh është lënë në harresë. Kjo do të thotë që ushtria ka prona dhe asete fizike. Ne jetojmë në një realitet tjetër dhe Shqipëria ëhtë vend i anëtar i NATO që do të thotë ka disa detyrime për të përmbushur edhe në fushën e prodhimit dhe shitjes së armëve. Me sa kam lexuar dhe kam parë ne nuk jemi vendi i parë që prodhojmë armë në botë, ka shoqëri të tjera dhe histori me kompani që prodhojnë armë në botë. Duke qenë se prodhimi armëve futet dhe në realitetin e sigurisë kombëtare, shoh që nuk kemi një bashkërendim të detyrimeve që kjo kompani do ketë ndaj shtetit dhe institucioneve të tjera. Projektligji fokusohet tek ngritja e një kompanie dhe jo modalitet e operimit ndonëse prodhimi municioneve lidhet me sigurinë kombëtare.
Po ashtu shoh që ka një mungesë të qartë të formës së pronësisë, pasi ne nuk e dimë se si do të përfshihen aksionerët privatë derisa kompania planifikohet të jetë sh.a? si do e siguroni ju mosprekjen e sigurisë kombëtare në blerjen e aksioneve të kësaj kompanie? Në relacionin e shkruar është diskutuar me disa toka që do të kalojnë në pronësi të shoqërisë mirëpo disa kohë më për zëvendës ministri i mbrojtjes diskutoi për një plan që shpërndarja e aseteve të ushtrisë po diskutohet me NATO; a është i përfunduar ky plan i shpërndarjes së aseteve të ushtrisë? A kemi informacion për të gjitha pronat e ushtrisë si do të përdoren? Mos harrojmë që çështja e pronave të ushtrisë është një temë e nxehtë e debatueshme për sa i përket koncesionimit dhe dhënies në përdorim të tyre.
A mund të dimë nëse keni vendosur prona strategjike, ku janë këto asete? U përmendën disa vende si Gramshi, Poliçani dhe disa asete të tjera që u diskutuan por na duhet një përgjigje e qartë.
Ministria foli për një vlerë 3 mln euro për nisjen e rrugëtimit të kompanisë. Nga sa kam parë dhe me çfarë kam marrë informacione, shifra prej 3 mln eurosh për të operuar në këtë sektor është shumë e vogël ose për të bërë asgjë. Ndërkohë që qeveria ka kontrata koncesionare me vlerë 430 mln euro, ndërkohë që shifra që ju vendosni është shumë e vogël për t’u marrë me këtë çështje. Prandaj kam disa pyetje shtesë edhe për këtë. A mund të kemi informacion se si është përcaktuar vlera 3 mln euro? Si do të përdoret kjo vlerë 3 mln euro për të mbuluar kostot e kompanisë?
Sa janë kostot që keni përllogaritur për financim që do shkojnë për përgatitjen e “terrenit” dmth infrastrukturës bazë për operimin e kompanisë? Sa është kosto për studime, përgatitje rregullative, vendosje të procedurave standarte të veprimit dhe krijimit të një baze operacionesh për personalien? Sa janë kostot për punësimin e stafit manaxherial dh mbështetës të kompanisë? Sa janë kostot e infrastrukturës bazë për nisjen e punës në atë sektor? Cili sektor i prodhimit të municioneve do të fokusohet kompania shtetërore KAYO? A do jetë e fokusuar në prodhimin e armëve të lehta apo municioneve të rënda?
Sipas përllogaritjeve tuaja sa do jetë fitimi vjetor i kësaj kompanie? A ka ekonomi shkalle? A ka plan biznesi? Sa është kthimi nga investimi?
Në projektligj është përcaktuar që KAYO do jetë një kompani sh.a dhe me një buxhet 3 mln USD që nuk duket se del për të financuar sa ç’duhet gjithë sa kërkon. Por gjithsesi fakti që është sh.a dmth që dikush tjetër mund të kërkojë blerjen e aksioneve.
Në rastin e një blerësi potencial sa aksione maksimale do ketë shteti? Përse mungon përcaktimi 51% në ligj?
Në rastin se shteti do jetë krijuesi i shoqërisë me 100% aksione dhe me prona shtetërore në shërbim të KAYO si do futet një privat për të blerë aksione? Si do jetë formula e hyrjes? A nuk do ishte më mirë sikur qeveria shqiptare ta kishte tërësisht në pronësi shtetërore dhe jo sh.a? Ne nuk jemi këtu për të mbështetur tigra prej letre!