Klodian Tomorri
Pasi e la për më shumë se dy vjet jetim përgjegjësinë institucionale për fushën e mbetjeve, në mars të këtij viti qeveria shqiptare miratoi një vendim për të ngritur Agjencinë Kombëtare të Mbetjeve. Sipas vendimit, agjencisë së sapo ngritur iu ngarkua përgjegjësia për zbatimin e politikave në fushën e mbetjeve, përfshirë administrimin e koncesionit të inceneratorit.
Por duket se vendimi nuk e ka zgjidhur ngërçin artificial të krijuar nga intrigat në qeveri, por edhe lufta e brendshme mes klaneve të pushtetit. Kapitali publikon dokumentat ekskluzivë që faktojnë se inceneratori vazhdon të mbetet kopil, pasi ministria e Mjedisit refuzon të marrë përsipër rolin e autoriteti kontraktor në kontratën e koncesionit.
Në shkurt të këtij viti, sekretarja e përgjithshme e ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi, njofton përmes një emaili zyrtar supervizorin e koncesionit dhe Njësinë e Zbatimit të Projektit, që tani do të duhet të raportojnë në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
“Ju lutem, kini në konsideratë që korrenspondencat e mëtejshme të vijojnë të mbahen me MTM” shkruan sekretarja e përgjithshme e Belinda Ballukut.
Pas daljes së vendimit të qeverisë për ngritjen e Agjencisë së Mbetjeve në muajin Mars dhe të udhëzuar se tashmë do të raportonin në ministrinë e Kumbaros, supervizori dhe njësia e zbatimit të projektit e dërgojnë raportin e radhës pranë MTM-së.
Në 13 maj ata i përcjellin ministrisë së Turizmit raportin e punimeve të inceneraorit për tremujorin e parë të vitit 2024. Por Kumbaro e refuzon raportin duke e kthyer mbrapsht me arsyetimin se ajo nuk është autoriteti kontraktor i koncesionit.
“Në përgjigje të suajës, nëpërmjet së cilës përcillet raportimi i punimeve për tremujorin e parë 2024 për objektin “Ndërtim landifilli, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese”, ju bëjmë me dije se MTM nuk administron Autoritetin Kontraktor të kontratës koncesionare. Për rrjedhojë, ju lutem gjeni sërish të bashkangjitur të gjithë dosjen e plotë të dërguar nga ju,” përgjigjet sekretarja e përgjithshme e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ledina Agalliu.
Kopil me miliarda
Lënia kopil e përgjegjësisë për koncesionin e inceneratorit të Tiranës ka një pasojë shumë të rëndë. Ajo mban gjallë koncesionin.
Në kushtet kur kompania private Integrated Energy BV nuk ka respektuar asnjë pikë të kontratës dhe kur prokuroria ka faktuar korrupsionin në këtë koncesion, janë përbushur të gjitha kushtet për anullimin e koncesionit. Por duke mos dalë askush si autoritet kontraktor, koncesioni vazhdon të mbahet i gjallë.
Nuk dihet nëse ping pongu dhe lufta mes institucioneve qëndrore të qeverisë është pjesë e një intrige të sofistikuar për të mos prishur koncesionin apo është thjesht një përplasje që vjen nga fakti se askush nuk do të fusë duart në një patate të nxehtë korruptive.
Por përtej arsyeve, lënia jetim e përgjegjësisë në fakt po sjell pasoja shumëfishe të rënda. Së pari ajo ka bllokuar administrimin e përditshëm shtetëror të landfillit duke e shtyrë Tiranën me shpejtësi drejt një krize të rëndë mbetjesh. Së dyti mungesa e autoritetit kontraktor pamundëson anullimin e koncesionit, një veprim që duhet të ishte bërë me kohë.
Dhe ndërsa paratë vazhdojnë të rrjedhin lirshëm drejt inceneratorit, tashmë mafia po bëhet gati ta shtjerë sërish në duar kontratën miliardere. Shumë shpejt administrimi i inceneratorit do të ketë ndryshime të rëndësishme, teksa peshkaqenët kanë bërë gati emërimin për të marrë menaxhimin e koncesionit.