Protesta e fermerëve në Maliq, për mallrat që iu kanë mbetur, është bërë sot temë diskutimi në Komisionin e Ekonomisë, ku ishte duke u diskutuar projektligji për “Policinë e Shtetit”.
Gjatë diskutimeve, deputeti i PD Edmond Spaho i tha ministrit se sot disa fermerë që protestuan në Korçë, u gjobitën me 1 milion lekë secili, që sipas tij nuk do të arrijnë dot t’i bëjnë ato para për të shlyer gjobën.
“Policia u vuri gjobë 1 milion lekë të vjetra që nuk i mbledh dot, kjo është të jesh në krahun e oligarkëve. Ju do duhej t’ia ngrini këto çështje kryeministrit dhe t’i thonit që të mendojë pak edhe për hallexhijntë e vendit”, u shpreh Spaho.
Ministri Balla u shpreh se “liria jote përfundon aty ku nis liria e tjetrit”, duke thënë se policia ka bërë punën ë saj, pasi protestuesit kishin bllokuar rrugën.
“Nuk mund të bllokohet rruga nga askush, dhe policia po bën detyrën e saj”, iu përgjigj Balla.