Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka bërë një thirrje urgjente për strukturat e partisë dhe mbështetësit e saj që të mobilizohen maksimalisht për protestën e planifikuar më 11 korrik. Në një mesazh të drejtuar strukturave të PD-së, Berisha theksoi rëndësinë e kësaj proteste për opozitën dhe nevojën për një pjesëmarrje masive.
“Tre ditët e ardhshme janë vendimtare për suksesin e protestës së 11 korrikut, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme për opozitën. Ajo duhet me çdo kusht të jetë protesta më e madhe dhe më e fuqishme që ka njohur Tirana deri sot!” deklaroi Berisha.
Ai bëri thirrje për mobilizim të plotë të anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së, duke kërkuar pjesëmarrjen e çdo demokrati dhe mbështetësi në protestë. “Ndaj është jetike që në këtë hark të shkurtër kohor të bëni gjithçka për mobilizimin më të paparë, për të garantuar pjesëmarrjen e çdo anëtari dhe anëtareje, mbështetësi dhe mbështetëse të PD në protestën e 11 korrikut,” tha ai.
Berisha theksoi se kjo protestë është një mundësi për opozitën që të tregojë forcën e saj dhe të dëshmojë se është shumica politike e vendit. “Me 11 korrik, ne demokratët dhe demokratet edhe mbështetësit tanë duhet të dëshmojmë para shqiptarëve dhe botës se ne jemi shumica politike e vendit, e gatshme për çdo betejë, për çdo fitore! O sot o kurrë!” shtoi ai.
Mesazhi i tij përfundoi me një thirrje të fuqishme për pjesëmarrje masive: “Me 11 korrik të gjithë në Tiranë! Fitore!”.