Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë mbajtur protestën e 15-të para Bashkisë së Tiranës, duke akuzuar kryetarin e bashkisë dhe ekipin e tij për vjedhje dhe abuzime me fondet publike. Në këtë protestë, këshilltari demokrat Dorian Teliti shprehu indinjatën e tij ndaj korrupsionit dhe duke inkurajuar qytetarët të vazhdojnë rezistencën.
“Ju falënderoj për këtë protestë në këtë shesh lirie para godinës së korrupsionit,” tha Teliti, duke e cilësuar Bashkinë e Tiranës si një institucion të kapur nga korrupsioni. “Godinë, e cila po shkërmoqet dita-ditës nga forca e rezistencës qytetare. Rezistencë, e cila po nxjerr në pah të gjitha abuzimet, të gjitha shkeljet, të gjithë vjedhjet që kryetari i bashkisë bashkë me ekipin e tij kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë ende deri sot.”
Teliti theksoi se Tirana nuk ka vend për hajdutët dhe abuzuesit, por për qytetarinë dhe ndershmërinë. “Tirana nuk ka vend për hajdutët. Tirana nuk ka vend për abuzuesit, Tirana nuk ka vend për shkelësit e ligjit. Tirana ka vend për qytetarinë, ka vend për ndershmërinë,” deklaroi ai, duke bërë thirrje që policët të kuptojnë se ata që protestojnë janë qytetarët e vjedhur, ndërsa brenda godinës janë kriminelët dhe hajdutët.
Protesta gjithashtu u përdor si një platformë për të promovuar një tubim më të madh që do të mbahet më 11 korrik, ku pritet pjesëmarrja e qytetarëve nga e gjithë Shqipëria. “Pak ditë na ndajnë nga 11 korriku ku e gjithë Shqipëria do të mbushin bulevardin Dëshmorët e Kombit për të dhënë një mesazh të qartë dhe të fortë që Tirana e gjithë Shqipëria nuk e do më këtë qeverisje dhe e vetmja rrugë është krijimi i një qeverie teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme,” u shpreh Teliti.