Mbeldhja e Komisionit për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale ka filluar me debate. Tonet u ngritën teksa diskutohej mbi skandalin tek Onkologjiku. Deputetja demokrate Albana Vokshi ka debatuar me sekretarin Ilirian Pendavinji, duke e akuzuar se kjo mazhorancë i ka blerë votat me ilaçe.
Debati:
Vokshi: Të ishte për ju nuk duhet të ekzistonte opozita, madje edhe vendin tuaj, të mos ishit ju por 140 Edi Rama. Kryetarët e opozitën duhet ti caktoni ju…
Pendavinji: Shyqyr ju kemi ju!
Vokshi: Po shyqyr që jemi ne. I keni vjedhur dhe abuzuar votat, keni përdorur bandat kriminale dhe patronazhistët që i vini koordinator në dyert e spitaleve ndaj silleni me abuzim ndaj pacientëve, sepse atë votën ia keni blere më një kurë, me një ilaç. Nëse do të reagonim për raportin e KLSH mbase gjërat do të ishin pak më ndryshe.
Ndërkohë deputeti i PS Ilir Metaj tha se llumrat në sistemin shëndetësor kanë qenë dhe janë, por se qeveria është aty për të pastruar të keqen në shëndetësi. Ndërsa, deputeti Tritan Shehu tha se sistemi shëndetësor në vendin tonë ka shumë probleme, që nga fakti që shumë ilaçe nuk rimbursohen.
Ilir Metaj: Llumrat kanë ekzistuar dhe eksiztojnë. Ne jemi këtu për të pastruar llumin. Duhen bulldozëra për të pastruar llumin.
Tritan Shehu: Unë nuk përjashtoj që mes keqbërësve ka dhe mjekë. Keqbërësi më i madh në Shqipëri është kryeministri. Është gjithë hallka e sistemit shëndetësor me probleme. Shumë ilaçe nuk rimbursohen dhe kjo bën që shqiptarët të jenë në kushte barbarie. Sistemi shëndetësor është ndërtuar i tillë, që lë vend për abuzime.