E përfolur si zëvendësuese e mundshme e babait të saj në krye të Partisë, Argita Malltezi ka dalë së fundi kundër një ideje të hedhur nga Gazment Bardhi, për një kandidat për kryeministër nga diaspora, që të udhëheqë fushatën elektorale të opozitës.
“Mendoj që është një eksperiment i patestuar, por edhe i rrezikshëm në një farë mase, sepse vlerësimi me realizëm i situatës autokratike në të cilën ndodhet Shqipëria, i eliminimit të zgjedhjeve të lira, për shkak të masave represive të Ramës me të gjitha format, me drejtësinë, në kapjen e financave publike etj, e bën të pamundur një gjë të tillë, sado që është një ide shumë e mirë.
E kam dëgjuar idenë, por kam menduar se bëhet fjalë për një kryeministër pas fitorës së zgjedhjeve, sepse atëherë, kuptohet që është fare e mundur si alternative”, tha Malltezi gjatë një intervistë me gazetaren Elona Meço.
Malltezi i qendroi deklaratës së hershme të kreut të opozitës Sali Berisha për të vendosur me referendum të ardhmen e tij si kryeministër. “Normalisht, personi që udhëheq fushatën, është kandidati për kryeministër”.
“Sali Berisha, në një xhest unik, ka thënë se pas fitores në zgjedhje do t’u japë mundësinë shqiptarëve me referendum për të zgjedhur, nëse duan që ai të jetë ose jo kryeministër. Mendoj që ka një mazhorancë absolute ndër shqiptarë që, e duan apo jo Berishën, janë të bindur se Sali Berisha nuk bën pazare në luftën kundër Edi Ramës, që ai qëndron në betejë deri në fund, që e çon fushatën deri në fund sipas interesit të popullit opozitar dhe besoj se kjo është një bazë e mirë për t’i besuar atij udhëheqjen e fushatës elektorale, qoftë edhe nga arresti i shtëpisë.” u shpreh Malltezi.
Argita Malltezi është e bindur se, përveç Lulzim Bashës, të gjitha forcat e vërteta opozitare do të pranojnë të bashkohen në një koalicion të përbashkët, të udhëhequr nga Sali Berisha. Vajza e Sali Berishës la hapur gjithçka për sa i përket përfshirjes së saj në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike apo në grupin e saj parlamentar, duke kandiduar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
“Deri para 8 muajsh, ju nuk më keni parë në media që të flas për çështjet e politikës. Kjo nuk ka qenë në projektet e mia. Sot nuk di t’ju them se çfarë do të sjellë e nesërmja dhe sesi do të reagoj. Për shkak të rrethanave kam vendosur të heq dorë nga rrjedha normale e jetës dhe të përfaqësoj një kauzë. Do ta ndjek deri në fund pa asnjë diskutim, por nuk parashikoj dot, nëse do të marr një vendim dhe kur do ta marr një vendim”- tha Argita Malltezi.
Ajo që u kuptua qartë dhe që Argita Malltezi e pohoi për herë të parë pas këmbënguljes së gazetares Elona Meço ishte se gjithçka varej nga gjendja e arrestit të Sali Berishës.
Cilat janë rrethanat që do t’ju detyronin ju të hynit në politikë, psh, që Sali Berisha të mbetej në arrest?
Realisht nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj, sepse thashë, nuk ishte një planifikim që unë do të angazhohesha dhe do të bëjë këtë intervistë apo të tjera si kjo para tetorit 2023.
Në fakt juristët kanë gjithmonë disa plane, përveç planit A.
Po, e vërtetë, por i kanë atëherë kur kanë synim për të arritur diçka. Politika aktive nuk ka qenë kurrë synimi im. Dhe nuk kam patur një projekt. Politika ka qenë gjithnjë pjesë integrale e jetës sime, pjesë kushtëzuese e jetës sime, por jo angazhimi politik si profesion. Por duke thënë këtë, prapë dua ta përsëris, edhe pse ju i quani fraza klishe, por nuk është kështu, pra, nëse vendos ta bëj, do ta bëj sipas procedurave të PD, sipas statutit të PD dhe gjithmonë me koshiencën e plotë që trashëgimia e Sali Berishës nuk është trashëgimi familjare, është trashëgimi e personave që kanë kontribuar në PD për 32 vite dhe e kanë mbështetur Berishën, përpjekjet e PD-së në qeveri dhe në opozitë gjatë këtyre 32 viteve.
Kur thoni “nëse vendos që do ta bëj”, e keni fjalë për t’u bërë pjesë e grupit parlamentar si një mënyrë kjo për të hyrë në politikë, për të drejtuar partinë apo për të marrë pjesë në strukturat drejtuese të PD?
Nëse do të ketë nevojë, do të angazhohem sipas nevojave që do të krijohen. Nuk mund të them asgjë tjetër sepse, realisht, nuk është diçka që mun ta parashikoj.
Deri kur do të presim ne?
Unë shpresoj që gjërat të vijnë në rrjedhën normale dhe unë të rimarr rrjedhën time normale të jetës, atë që kisha planifikuar dhe kisha planifikuar shumë gjëra në fakt. Politika nuk ishte një prej tyre. Nëse ndodh që nuk do të rikthehem shpejt në rrjedhën që kisha planifikuar, këtu jam, përsëri do të flasim.
Pra duhet të dalë Sali Berisha nga arresti i shtëpisë, që ju të ktheheni në rrjedhën tuaj normale?
Po, besoj se po.