Korrupsioni dhe krimi i organizuar në nivelet më të larta të qeverisë dhe shoqërisë, i ka rrënjët e vjetra në vendin tonë, por me krijimin e SPAK, ky organ i pavarur gjyqësor që merret me hetimet e “dosjeve” të rënda erdhi si shpëtim për të gjithë nevojtarët, qytetarët e “plaçkitur” nga pushtetarët.
Arritjet e këtij institucioni janë të një niveli mbreslënës. Çdo ditë “eksponentë” të qeverisë thirren, merren në pyetje në tavolinën e dosjeve të mëdha dhe kur dalin thonë: U thirra si person në dijeni të “x” çështjeje.
Për habi të buzëqeshur, aspak në ankth. SPAK, ky institucion i ka shkundur fort themelet e godinave ku luhet “shah mat” me fondet e financat e qytetarëve nevojtarë. E ka kryer punën, po i thërret një e nga një në zyrë dhe po i pyet, 2 a 3 orë.
Siç bëri jo më larg se dje me Artan Lamen, ish-“koka” e Kadastrës që bënte pazare, një votë (zgjedhjet e 2029), një leje legalizimi për pronë, duke ja “plaçkitur” pronarit e duke ua dhënë atyre që paguanin më shumë.
Për këtë çështje kanë rënë në pranga më 26 prill 2024, zyrtari i Kadastrës, Dritan Stoka dhe kryeplaku i Saukut në Tiranë, Agim Osmani. SPAK po e bën punën. Por për “kokat e mëdha” po punon akoma më shumë, aq shumë sa do gjithmonë kohë të plotësojë dosjen derisa çështja e tyre të harrohet, e kur të dalin të thonë: “U thirra si person në dijeni”.
E ndërsa SPAK merr kohën e vet për të bërë punën siç duhet, “bukur, pastër pa gabime”, me ata që e shkelin me të dyja këmbët ligjin, surpriza është “aleati” ose “bashkëpunëtori” i tij në lojë, DPAK.
Kreu i qeverisë, po mendon shumë për të vënë drejtësinë në vend, ndaj gjithmonë vjen me ide dhe krijime të reja si artist që është. Kaq shumë janë shkeljet në Shqipëri saqë ai, nuk vonoi dhe krijoi DPAK që erdhi si surprizë për të gjithë.
Drejtoria antikorrupsion, “miku” i SPAK që do të hetojë administratën! ‘Hetues’ edhe në spitale, Kadastër, Dogana, Tatime e Postë. Të gjitha do i bëjë DPAK, jo më pak se SPAK.
DPAK “hyri në valle” pak ditë pas skandalit, që siç e quajti dhe Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu dje në Kuvend “çështja e famshme” e Onkologjikut.
Në mos SPAK-ut, tani Lame DPAK-ut do i trembet. Le të japë llogari për letrat e firmosura gjatë fushatës së 2019. Qoftë ato të legalizimeve, qoftë ato të pronave. Tokat dhe pronarët aty janë, edhe hajdutat nuk kanë lëvizur.
Po presim çdo bëjë DPAK.
Gazeta Reforma