Kristian dhe Drilona Boçi që për shumë njihen si personazhe showbiz-i, tashmë janë në “sitën” e Prokurorisë për vepra të rënda penale.
Drilona, dikur pjesë e stafit të Bashkisë Tiranë, zotëron një nga atelietë më të njohura të veshjeve në kryeqytet. Ajo ka marrë pjesë edhe në konkurse bukurie si dhe është e diplomuar për drejtësi. Nga martesa e tyre kanë dy fëmijë.
Kristian, nga ana tjetër njihet si boksier dhe influencer në rrjetet sociale, ai shpesh ka reklamuar edhe bamirësi për njerëz në nevojë. Por pas gjithë jetesës si “në përralla” fshihet një aktivitet i mirëfilltë kriminal, ku në skemë dalin dhe persona të tjerë të përfshirë, madje edhe miq me politikanë të vendit.
Organi i akuzës në Tiranë ka sekuestruar sot pasuri me vlerë 50 milionë euro, të cilat dyshohet se janë vënë nga trafiku i drogës në Belgjikë, një pjesë e mirë, në emër të çiftit.
Kristian Boçi në bashkëpunim me personin e identifikuar me emrin Elman Abule, kanë pastruar në Shqipëri, paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal që këta persona kanë pasur në Belgjikë.
Ky i fundit zbulohet se është mik me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Duket se është bërë e modës që personazhe në shkelje të ligjit të kamuflohen duke qëndruar nën hijen e personave me pozitë.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonimik në Drejtorinë e Përgjithshmë të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganeve, Tatimeve, kërkoi vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive në zotërim të shtetasve E. A., M. T., K. B., D. B., E. B., V. A., E. B. dhe pasurive të disa subjekteve tregtare të provuar si në administrimin e shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Nga vlerësimi paraprak rezulton se vlera e pasurive të jetë 50 milionë euro”, njofton Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, Boçi, Abule dhe personat e lidhur me ta, kanë marrë në një bankë të nivelit të dytë, shuma të mëdha kredish të pajustifikuara.
Më konkretisht, Boçi zbulohet se ka krijuar një shoqëri tregtare mes të cilës pastronte paratë e Elman Abules i dënuar për trafik droge në Belgjikë.