Fatlinda Berisha Tahiri, bashkëshortja e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ndarë një histori prekëse për humbjen e nënës së saj nga kanceri, duke u nisur nga skandali me spitalin Onkologjik ditët e fundit. Në një postim në rrjetet sociale, ajo rrëfen peripecitë e familjes së saj dhe zhgënjimin nga sistemi shëndetësor.
Në postimin e saj, Fatlinda kujton vitin 2006, kur nëna e saj, atëherë 51 vjeçe, u diagnostikua me melanomë (kanceri i lëkurës) në stadin 2-3. Fatlinda tregon për tronditjen e madhe që përjetoi familja e saj dhe përpjekjet për të gjetur trajtimin më të mirë. Pasi u konsultuan me një mjeke në Spitalin Onkologjik, ajo i drejtoi ata në klinikën e saj private, ku u kryen dy operacione në kushte të pamjaftueshme.
“Doktoresha erdhi vetë personalisht të merrte lekët në dorë menjëherë… pa humbur asnjë sekondë,” shkruan Fatlinda, duke përshkruar sjelljen arrogante të mjekes. Megjithatë, fatkeqësia nuk përfundoi aty. Trajtimi i vazhduar më vonë u përkeqësua dhe, kur udhëtuan jashtë vendit për ndihmë të specializuar, mjekët e huaj i informuan se ishte tepër vonë për të ndërhyrë.
“Aty kuptuam se e gjitha mund të ishte parandaluar. Ndërhyrja ishte bërë keq, gabim. Edhe trajtimi më pas ishte bërë gabim,” shkruan ajo, duke theksuar se jeta e nënës së saj mund të ishte shpëtuar nëse trajtimi do të ishte bërë si duhet.
Fatlinda gjithashtu tregon se familja e saj ka humbur edhe një tjetër të afërm për shkak të keqdiagnostikimeve dhe mungesës së profesionalizmit nga mjekët. Ajo përfundon postimin e saj duke i bërë thirrje publikut që të përqafojnë të dashurit e tyre dhe të shpresojnë se nuk do të përballen me një situatë të ngjashme.
“Po ju ndodhi, SUKSESE NË JETË!” përfundon ajo, duke shprehur zhgënjimin e saj të thellë me sistemin shëndetësor.