Kryetarja e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, Albana Vokshi ka folur për punën e Komisionit dhe ka evidentuar zvarritjen e përgjigjeve të institucioneve shtetërore. Në një deklaratë për mediat nga selia e Kuvendit, Vokshi tha se institucionet po bëjnë ping-pong mes tyrë për të mos iu përgjigjur shkresave të Komisionit. Vokshi gjithashtu paralajmëroi kallëzim penal për drejtuesit e institucioneve që po pengojnë punën e komisionit hetimor.
“Nuk u zhvillua mbledhja e komisionit hetimor në shëndetësisë sepse deputetet e mazhorancës nuk ndodhen fare në Shqipëri. Pra vajtja në Gjermani për ta përbën më shumë interes sesa interesi publik për përbërjen e transparencës në lidhje me dy aferat e mëdha check up dhe sterilizimi. Po ashtu dua t’ju them se kanë ardhur si përgjigje e shkresave për prova të miratuara, kanë ardhur materiale voluminoze nga ana e institucioneve, por një pjesë e mirë e përgjigjeve nga institucionet, dua të përmend dy nga institucionet më të rëndësishme, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor nuk kanë dhënë përgjigje për pyetjet apo provat që ne i kemi kërkuar. Bëjnë ping pong me njëra tjetrën sepse i kemi adresuar pyetjet në lidhje me kontratat dhe ndryshimin e kontratave. Fondi thotë që nuk kam dokumentacion dhe asnjë kontratë. Ne na thotë adresohuni tek ministria e Shëndetësisë, e cila na thotë që është përgjigjur Fondi. Nëse do refuzojnë të kthejnë përgjigje për kërkest e dërguara nga komisioni hetimor, kjo do përbëjë shpërdorim detyre dhe do të ndërmerren hapat për këdo që pengon punën dhe do vijojë me kallëzimet penale për këdo që do tentojë të pengojë punën e komisionit”, tha Vokshi.