Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka vazhduar sulmet e tij ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, dhe një tenderi të dhënë me 99.9% të fondit limit, në një tubim mbështetës në “Rrugën e Shpresës.” Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj autorëve të tenderave dhe personave të lidhur me to.
Gjatë fjalimit të tij, Berisha theksoi: “Po kush është ky Artan Xhori? Ky është autori i tenderave për dekoderat. Edhe atë tender, të denoncuar nga Sali Berisha me forcën më të madhe, Xhori i Bolinos e fitoi me 99.9 përqind. Ai nuk zbret, nuk di të zbresë nën 99.9 përqind.”
Berisha vazhdoi duke përmendur tendera të tjerë të fituar nga Xhori, përfshirë ato në spitale me Jotin e Digitalbit, dhe akuzoi se aparaturat e sjella janë jashtë çdo standardi. Ai shtoi: “E megjithatë, ky është i preferuari i Altin Dumani, i pengmarrësit Altin Zamani! Po si mund të bësh tender ti me negociata me një delinkuent të denoncuar? Sepse je vetë si ai, do të mbushësh xhepat.”
Në përfundim të fjalimit të tij, Berisha bëri thirrje për vazhdimin e betejës kundër asaj që ai e quajti “agresion mizor i mafies shqiptare dhe ndërkombëtare.” Ai theksoi se kjo është një betejë vendimtare për shpëtimin e kombit nga ky fenomen i rrezikshëm dhe shkatërrimtar.
Këto akuza të reja nga Berisha vijnë në një kohë kur ai vazhdon të kërkojë transparencë dhe drejtësi në administrimin e tenderave publikë dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në afera të dyshimta korruptive.