Një rast i dyshuar korrupsioni në degën e saj në Kinë, i vlerësuar në disa “miliona euro”, po hetohet nga prodhuesi gjerman i pajisjeve sportive Adidas, zbuloi sot Financial Times (FT). Sipas gazetës së biznesit, një letër që supozohet se është shkruar nga “punonjësit e adidas China” akuzon disa punonjës kinezë me emër, duke përfshirë drejtuesit e kompanisë.
Dokumenti i publikuar këtë muaj në Kinë në rrjetin social Xiaohongshu, vlerëson mashtrimin e supozuar në 250 milionë euro. Letra nuk është më e dukshme në platformë, por një kopje e pretenduar, autenticiteti i së cilës nuk është verifikuar zyrtarisht, po shpërndahet në disa llogari. Sipas këtij dokumenti, mes të pandehurve është edhe një nga drejtuesit e kompanisë që merrej me marketingun e Adidas në Kinë, buxheti i të cilit shkon në 250 milionë euro në vit.
Një tjetër ekzekutiv i Adidas në Kinë thuhet se ka marrë “miliona para në dorë nga furnizuesit “, sipas FT, e cila thekson se selia qendrore e kompanisë ishte informuar që nga 7 qershori për “shkelje të mundshme” në Kinë. Shitjet e Adidas në tremujorin e parë në Kinë u rritën gati 8 për qind nga viti në vit, sipas rezultateve të publikuara në prill.