Ambasada amerikane ka reaguar sot lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili i kaloi vulën dhe logon e Partisë Demokratike ish-kryeministrit Sali Berisha. Në reagimin e saj, Ambasada theksoi qëndrimin e palëkundur të SHBA-së ndaj individëve të shpallur non-grata, duke përsëritur se nuk do të angazhohet me persona të tillë.
“Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA,” deklaroi Ambasada Amerikane.
Në vijim të reagimit, Ambasada theksoi përkushtimin e SHBA-së ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. “Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit,” u shpreh Ambasada.
Ambasada Amerikane përsëriti gjithashtu se lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara. “Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA,” theksoi reagimi.
Vendimi i Gjykatës së Apelit u mor të martën, më 11 qershor, duke i kaluar vulën dhe logon e Partisë Demokratike komisionit të Rithemelimit dhe duke e shpallur Sali Berishën si kryetarin legjitim të PD-së. Gjykata e Apelit vendosi të mos pranojë ankimimin e Enkelejd Alibeajt, duke e mos e quajtur atë palë në këtë proces, dhe kështu konfirmoi vendimin e shkallës së parë të gjyqtarit Agron Zhukri dhe Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021 që njeh Berishën si kryetar legjitim të PD-së.