Një 64-vjeçar nga Devolli është arrestuar pas denoncimit të familjarëve të një 13-vjeçareje, të cilën dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht. Nëna e vajzës së mitur ka treguar se ka qenë e bija që u ka treguar, pasi familjarët kishin zbuluar mesazhe në telefon. Sipas dëshmisë së tyre i moshuari e kërcënonte vajzën se nëse tregonte do t’i vriste babanë.
“Siç më tregoi vajza, kohë më parë e kishte kërcënuar dhe i kishte thënë që po të tregonte për ngacmimet do t’i vriste babanë. Ja ka thënë muaj më përpara. Vajza më tha që atë që mendoni ju nuk ka ndodhur. S’më ka bërë gjë, më ka bërë gjëra të tjera. Më ka prekur me dorë. E njohim si bashkëfshatar, nuk kishim hyrje dalje. Ka 2 ditë vajza që më tregoi pasi kapëm mesazhet që ai I dërgonte në telefonin e gjyshit. Ne e pamë kur i ra telefoni para 2-3 ditësh, e pa kunata por nuk tregoi se kishte burrin atje. I ra 2 herë në tel, por ne nuk folëm. E merrte jashtë fshatit vajzën, e gënjente, i jepte lekë”, ka rrëfyer e ëma.