Skip to content
Aktualitet

Refuzohet kthimi i vizave për shqiptarët, Rama: Nuk ndodhi siç predikuan lajmësit e qametit

· 2 min lexim

Ditën e sotme një lajm i mirë vjen për shqiptarët. Komisioni Europian ka shqyrtuar kërkesën e Holandës për rivendosjen e vizave për shqiptarët.

Dhoma e Përfaqësuesve të Parlamentit Holandez, me votat e shumicës së deputetëve kanë votuar pro rikthimit të vizave për qytetarët shqiptarë pak kohë më parë.

Mësohet se Komisioni Europian ka vendosur të hedhë poshtë kërkesën e Holandës, për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

Komisioni është shprehur se pas vlerësimit të situatës aktuale të Shqipërisë, nuk plotësohen mekanizmat për pezullimin e vizave.

Pak minuta pas njoftimit për refuzimin e kërkesës së Holandës për rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

“Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Europian e refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter”, shkruan Rama në Twitter.