Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e Polisisë, pas një sherri mes disa personash. I riu pas konfliktit ka qëlluar me armë zjarri të llojit kallashnikov për të kanosur njërin nga personat e përfshirë në sherr.
Njoftimi i policisë:
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandaloi përshkallëzimin e një konflikti të çastit mes disa shtetasve. Kapet dhe vihet në pranga 25-vjeçari që qëlloi me armë zjarri, për të kanosur njërin nga shtetasit e përfshirë në konflikt. Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Levan, Fier, disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e shtetasit A. M., 25 vjeç, banues në Levan.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.