Gazetari 55-vjeçar i kronikës së zezë ka ndërruar jetë pasi iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, në një spital privat në Tiranë. Dule do të përcillet për në banesën e fundit, në fshatin e tij të lindjes, Miras në Korçë. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është dhënë nga familjarët e Dules, ndërsa pak ditë më parë Unioni i Gazetarëve Shqiptarë bëri thirrje për ndihmë ndaj tij. Dule ishte gazetar gjatë vitit 1997, kur u masakrua nga pushteti i kohës dhe prej atij viti nuk ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore. Ai u shndërrua në një invalid të shëndetit mendor, dhe jetonte në kushte të mjerueshme në fshatin e tij të lindjes.
“Jeta e gazetarit Zamir Dule është një dramë më vete dhe do të duhej një roman voluminoz për ta përshkruar. Ai në shkollë të mesme shfaqi talentin petil, të cilin më pas e “konvertoi’ në gazetari. Pas shkrimeve të para në gazetën “Zëri i Rinisë’ me prirje të veçanta në zhanret e kronikës, filloi korrespondent i gazetës ‘Koha Jonë’ për Qarkun e Korçës. Në vitin 1994, duke i vlerësuar aftësitë dhe përkushtimin, botuesi Nikollë Lesi e afroi në Tiranë ku mbuloi po sektorin e kronikës për policinë, prokurorinë dhe gjykatën.
Në kulmin e tij, deri afërsisht në vitin 1996, atëherë kur shkroi edhe librin ‘Përbindëshi i Tropojës’” Zamir Dule u bë simbol i gazetarit të kronikës së zezë. Aq sa Karlo Bolino, asokohe botues i ‘Gazeta Shqiptare’ të cilit Zamiri i ishte vetëofruar për punësim më herët, sa herë që ky i fundit publikonte lajmet e tij sensacionale, e bënte Karlon të lëshonte me keqardhje shprehjen’ Ah Z Dule! Z. Dule!
Aq sakrifikonte për profesionin e tij, sa në një moment të karrierës, me synim që të zotëronte lajmet më të bujshme dhe në kohë të shpejtë nga Tirana dhe i gjithë vendi, bëri një ‘pakt me djallin’.
Zamiri u tërhoq shpejt nga ky hap i gabuar, pasi sipas rrëfimit të tij, SHIK-ut po i servirte ca lajme të dorës së dytë e pa interes, dhe për më tepër, vetë gazetari sipas rrëfimit të tij, u bë pishman për këtë komunikim.
Si reagim pati vetëvendimin:’Më mirë një fund i tmerrshëm apo një tmerr pa fund?’. Që nënkuptonte haraçin që do t’i duhej të paguante…
Këtu filloi kalvari i vuajtjeve të Zamir Dules, i cili nën presionin e përndjekjeve nisi të shfaqte probleme psikologjike. Për të cilat kishte ndikuar nga ana tjetër edhe vrasja e një prej vëllezërve të tij. Kulmin këto tortuara, e arritën natën e kobshme të djegies së redaksisë të gazetës “Koha Jonë’ në fillim marsin e vitit 1997.
Asokohe, disa prej gazetarëve, një pjesë e stafit dhe truprojat e botuesit Nikollë Lesi strehoheshin për fjetje në katin e nëndheshëm të redaksisë. Natën kur u sulmua godina e redaksisë, Zamir Dule ishte i vetmi që ndodhej në redaksi pas mesmate së bashku me një punonjës tjetër të gazetës pasi ishte fundjavë dhe të gjithë që strehoheshin në dhomat e poshtëme ishin larguar me leje.
Zamir Dule u shoqërua në polici ku u torturua, tortura këto që u vunë kapak përndjekjeve të tmerrshme ndaj tij. Ai nuk e mori më veten profesionalisht, por edhe nga shëndeti mendor dhe hija e përndjekjes që nuk i ndahej.
Qeveria e kryeministrit të kohës Fatos Nano i akordoi gazetarit Zamir Dule pension special, në shenjë vlerësimi për punën në kushte të përndjekjes dhe sidomos për torturimin e tij nga struktura policore.
Kohë pas kohe, Zamir Dule është bërë objekt diskutimesh, madje edhe në rangjet politike, si gazetari simbol i një regjimi hakmarrës ndaj gazetarëve. Gjithashtu, është tentuar të kontaktohet nga kolegë të tij për ta intervistuar, por Zamiri i tërhequr në vetminë e tij dhe botës së librave i ka refuzuar. Pas vdekjes njëri pas tjetrit të prindërve, për Zamirin që nuk vendosi dot martesë, kujdeset vëllai i tij”, thuhet në një shkrim të mëhershëm të Unionit të Gazetarëve.