Skip to content
Kronikë

E morën peng dhe i kërkuan para, arrestohen rrëmbyesit e 68-vjeçarit në Elbasan

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë u regjistrua në Elbasan, ku një 68-vjeçar u marr peng dhe iu kërkua një shumë parash. Pas reagimit të shpejtë të policisë, dy persona u arrestuan dhe u dërguan para drejtësisë. Autorët, R. K., 57 vjeç, nga Peqini, dhe P. S., 47 vjeçe, nga Belshi, u kapën në operacionin e koduar “Përfitimi”. Gjithashtu u sekuestrua automjeti ku u mbajt peng 68-vjeçari dhe 3 celularë. Materialet e procedurës u dërguan te Prokuroria për hetime të mëtejshme për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi për dhënien e pasurisë”.

NJOFTIMI I POLICISE

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, finalizohet operacioni policor i koduar “Përfitimi”. I hoqën lirinë një 68-vjeçari dhe e kanosën për t’i marrë një shumë parash, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë.

Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 68 vjeç, se për motive të dobëta, 2 shtetas i kishin hequr lirinë, duke e mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në një automjet, si dhe se ishte kanosur me qëllim dhënien e një shume parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan punën për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësise penale të 2 autorëve.

Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përfitimi”, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit R. K., 57 vjeç, banues në Peqin dhe P. S., 47 vjeçe, banuese në Belsh. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.