Ka një datë në historikun e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri që pak kujtohet. Është 28 janari i vitit 1990.
Kishin ndodhur përplasjet e para me regjimin në Shkodër e në Kavajë, por regjimi ia kishte dalë t’i “mbyllte” me terror dhe t’i mbulonte përkohësisht me errësirën e heshtjes.
Sidoqoftë “thashethemet” funksiononin në atë kohë, në vend të medieve te munguara. Kështu që me vonesë, por edhe në Tiranë u mor vesh çfarë kishte ndodhur.
Atëherë pak nga pak, e grupe-grupe vendosëm që duhej bërë diçka në Tiranë se vetëm ashtu do të kishte jehonë e nuk do mund të kalonte në heshtje.
Shqipëria dhe një herë kish mbetur e fundit. Komunizmi kishte rënë në gjithë vendet e tjera të Lindjes, ndërsa tek ne dukej se asgjë nuk do ndryshonte.
Në ato kushte u përhap gojë më gojë, vetëm tek njerëzit që kishim besim, thirrja për protestë në Tiranë. Kodi ishte: “Koncert në shesh të dielën, ora 6 pasdite”.
Kështu sapo takonim të njohur, pyetja: “A do vish tek koncerti i të dielës?” na tregonte paraprakisht se sa kishte funksionuar thirrja.
Funksionoi. Ndërkohe thashethemi u pasurua nga goja në goje e kur u kthye tek ne që e kishim filluar, u kthye i pasuruar: “Do të flasë një prift, ish-i burgosur”; “Do të jenë gjithë ambasadat e huaja në shesh” (vazhdonim prisnim aleatet”)…
Më 28 janar, ora 6, sheshi ishte i mbushur me qytetarë dhe me sigurimsa e sampistë. Të gjithë qarkullonin në heshtje sikur kishin dalë për një shëtitje të zakonshme, por të gjithë e dinim pse ishim aty.
E dinte dhe Sigurimi që beri arrestime përpara dhe pas, megjithëse nuk pati asnjë akt “komprometues”.
Megjithatë ai 28 janar pati një vlerë të madhe sepse ne pamë se sa shumë ishim, dhe mbi të gjitha trembëm frikën.
Në grupe të vogla ne komunikonim e flisnim kundër regjimit, po askush nuk e dinte se sa ishim të gjithë bashkë. Kush e ka jetuar kohën, e di shumë mirë. Përfundoje në burg për një fjalë goje.
Edhe protesta e djeshme, megjithëse duket paradoksale pas 34 vitesh, e kishte këtë vlere. Largimet masive të shqiptarëve (mbi një milion), represioni i vazhdueshëm i regjimit të sotëm ndaj kundërshtarëve dhe situata e vështirë që kaloi PD në këto dy vite, na bënin ne te prisnim me një lloj “ankthi” se sa do të na përgjigjeshin shqiptarët !
Përgjigjen e morëm ne dhe ata që shpresonin te kundërtën