Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i ftuar në një intervistë në Ora News, ka folur lidhur me lajmin që ka qarkulluar pak ditë më parë mbi pagesën e autostradës Tiranë-Durrës.
Ai u shpreh se ky lajm nuk është i vërtetë, pasi punimet në këtë aks rrugor do të mbështeten financiarisht nga buxheti i shtetit dhe se nuk do të ketë tarifë pagese.
Berberi hodhi poshtë të gjitha aludimet që kanë qarkulluar prej disa ditësh, teksa theksoi se autostrada do të zgjerohet dhe do të punohet në aksin rrugor Ndroq për të rregulluar kështu trafikun e rënduar që shpesh hasin udhëtarët në këtë segment të rëndësishëm rrugor.
“Autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet me buxhetin e shtetit dhe nuk do të ketë tarifë. E vetmja gjë që ne i referohemi është një nga oposionet e studimit të vizibilitetit për projektimin e urës në Ndroq. Jo, e them me bindje të plotë, me zë dhe me figurë se Tiranë-Durrësi nuk do të ketë tarifë”, tha ndër të tjera kreu i ARRSH-së.
Punimet në këtë aks rrugor pritet të shkojnë 218 milionë euro, për të cilat ARRSH pretendon se 20 milionë janë të parashikuara në buxhet.
Ndërkohë pak ditë më parë “Faktoje” ka publikuar një artikull ku tregon se në fakt buxheti 2024 nuk parashikon asnjë financim për aksin Tiranë-Durrës.
Edhe pse kjo autostradë është prej vitesh në gjendje jo të mirë, shpesh është folur për ta rregulluar, madje edhe për ta dhënë me koncesion, mirëpo këtë herë referuar deklaratave publike, në plan nuk përfshihet dhënia me koncesion.
Mirëpo, dokumentat tregojnë “zbuluar” kreun e ARRSH-së.
“Përmirësimi i planifikuar i autostradës aktuale ndërmjet Tiranës dhe Durrësit do të përfshijë një sistem pagese, ndaj duhet të ofrohet një rrugë alternative. Për këtë qëllim rruga që lidh dy qytetet përmes Ndroqit dhe Plepave duhet të zgjerohet”, shkruhet në një dokument të ARRSH-së.
Vlen të theksohet se ende nuk ka një datë të caktuar se kur do nisin punimet në lotin e parë të këtij aksi, ndërkohë nuk është e qartë se sa muaj/vite do zgjasin punimet në këtë segmet rrugor.