Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke, Javelin, i tha ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit të tyre në kryeqytetin serb, më 11 janar.
Departamenti amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me çka fillon procedura zyrtare, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca serbe.
Nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se blerja e raketave Javelin është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake, dhe, në këtë aspekt, ekziston një marrëveshje ushtarake e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që funksionon në kuadër të programit FMS, që blerjet të realizohen nëpërmjet këtij programi. Dhe, në këtë aspekt, janë të përfshirë edhe raketa Javelin dhe disa sisteme të tjera moderne të armatimit”, ka thënë Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Karakteristikat e raketave Javelin që pritet t’i blejë KosovaProgrami FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”, thuhet në ueb-faqen e Agjecisë amerikane për bashkëpunim në siguri. Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit.
Presidenti i Serbisë e ka quajtur zhgënjim të madh lajmin për kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave, duke shtuar se Serbia, së bashku me SHBA-në, do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.
“Për ne, është shumë e rëndësishme që paqja në rajon të mos prishet dhe që Serbia të vazhdojë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan”, tha presidenti serb.
Gjatë vitit të kaluar, kërkesa për sistemin Javelin është rritur. Në ueb-faqen e prodhuesit të këtyre armëve, Lockheed Martin, thuhet se po dyfishojnë prodhimin aktual “nga 2.100 copë në 3.960 copë në vit deri në vitin 2026”, siç janë pajtuar në bazë të kontratës së re me ushtrinë amerikane.
Po ashtu, thuhet se 13 shtete në Evropë e përdorin këtë sistem dhe ndër shtetet e fundit janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Ukraina u furnizua me sistemet kundërtanke nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri në fund të tetorit 2022, SHBA kishte dorëzuar 8.500 raketa Javelin në Ukrainë, ekuivalente me prodhimin e saj katërvjeçar.
FSK-ja – që është në tranzicion për t’u bërë ushtri – edhe më herët është furnizuar me armë amerikane.
Më 2018, pasi Kuvendi i Kosovës mori vendimin për transformimin e FSK-së në ushtri – proces që është paraparë të zgjasë dhjetë vjet – Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.
Po ashtu, Qeveria kishte blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja më 2020, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).
Kosova po ashtu ka miratuar një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.
Përveç armatimit amerikan, FSK-ja është e pajisur edhe me armë të prodhimit turk, sikurse automjete të blinduara ushtarake dhe dronë.
Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.
FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.
Në buxhetin e Kosovës për vitin 2024, të miratuar fundin e vitit të kaluar, Ministrisë së Mbrojtjes i është ndarë buxhet në vlerë prej 153.049.911 eurosh./ REL