Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha iu është përgjigjur publikisht akuzave të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili ndodhet në burg për aferën e inceneratorëve.
Gjatë gjyqit në GJKKO, Lefter Koka u shpreh para gjyqtares se akuzat ndaj tij dhe stafit janë ngritur në bazë të opinionit politik dhe mediatik, duke ia adresuar fajin kështu zotit Berisha dhe opozitës.
“I kërkoj ndjesë të gjithë stafit nëse janë këtu për shkakun tim. Ata kanë bërë më të mirën që mund të bënin. Akuzat janë ngritur mbi bazë të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël”, është shprehur Lefter Koka.
Berisha thekson se Lefter Kokës, “ia bëri vetja, sepse e kanë marrë me qira”.
“Kontraktor për kompaninë është ministria. Lefter që akuzon ma ka bërë Berisha, jo Lefter ia ke bërë vetes se të kanë marrë me qira, rri aty dhe mos u ndje”, tha ish-kryeministri.
Kujtojmë se ish- ministri Lefter Koka dhe sekretari i përgjithshëm në atë kohë, Alqi Bllako, nuk janë shqetësuar për faktin se kompania “Integreted Energy BV”, me seli në Holandë, nuk ishte regjistruar si subjekt në Qendrën Kombëtare të Biznesit, siç e kërkon ligji për të marrë përsipër inceneratorin e Tiranës.
Ndonëse ky fakt i është vënë në dukje Ministrisë së Mjedisit nga ministrja e atëhershme e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, më 15 nëntor 2016, procedurat kanë vijuar, pavarësisht se janë shprehur vërejtje dhe nga ministria e Financave e ajo e Drejtësisë.