Qielli është kufiri, vetëm për ata që kanë frikë të fluturojnë,- pati thënë dikur një shkrimtar i njohur amerikan. Zor se do të gjendej shprehje më e përshtatshme për të përshkruar garën e ethshme të qiellgërvishtësve në qendrën e Tiranës.
Shumë shpejt “Eyes of Tirana” e Armand Lilos, ndërtesa e lartë më kuba në qendër të Tiranës, e cila u ngrit 7 kate mbi lejen e ndërtimit do të duket si xhuxh. Sepse po mbërrin Barcelona e Bankës Kombëtare Tregtare dhe Besnik Bamit.
Këshilli Kombëtar i Territorit ka bërë publike pamjet dhe të dhënat teknike të kullës së re që do të ngulet si çiban në qendrën e Tiranës, ngjitur me Bankën e Shqipërisë dhe selinë e Partisë së Kullave.
Barcelona do të jetë 192.8 metër e lartë
Kulla 192.8 metër e lartë do të ngrihet në një gjurmë ndërtimi prej 1500 metër katrorë, aty ku sot gjendet një ndërtesë e Bankës Kombëtare, ngjitur me Shtëpinë e Gjetheve. Sipas të dhënave teknike, kulla do të ketë 50 kate mbi tokë dhe 6 të tjerë nën tokë, për një sipërfaqe totale ndërtimi prej rreth 56 mijë metrash katrorë.
Zhvilluesi projektit është kompania Bami Holding e biznesmenit Besnik Bamit. Por Bami nuk është i vetëm në këtë sipërmarrje. Ai nuk e ka fuqinë lobuese për të marrë një leje si kjo në zemër të Tiranës dhe as atë financiare për të financuar një projekt të tillë.
Pas kulles se re qëndron dhe BKT
Fuqia qëndron pas kuintave. Brenda kullës së re është BKT si pronare e tokës, ndonëse jo drejtëpërdrejtë por përmes një kompanie satelit të saj. Përfshirja e BKT në këtë projekt sigurisht e lehtëson realizimin e tij në aspektin financiar dhe sigurisht ate lobues.
Sateliti Arkestate
Arkestate Investments është një kompani shqiptare e krijuar në vitin 2016. Pronari themelues i saj ishte një shoqëri amerikane nga Teksasi, e quajtur International Ark Holdings. Që atëherë, kompania ka ndërruar tre herë pronësi.
Në vitin 2019 kompania teksane ja shiti Arkestate Investments një shoqërie të quajtur Gold Circle LLC me bazë në Nevada. Kjo e fundit e mbajti një vit dhe në fund të 2020-ës e shiti Arkestate tek një shoqëri hollandeze, e quajtur Delta Real Estate Development. Pronari fundor i Delta Real Estate Development është Ahmet Çalik, biznesmeni turk që zotëron BKT-në. Të gjitha transaksionet janë ndërmjetësuar nga studio Tashko dhe Pustina.
Gjerdani i qiellgervishtesve ne qender te Tiranes po shtohet
Me pak fjalë, Arkestate është krahu imobiliar i Ahmet Çalikut. Ajo zotëron të gjitha pronat e Bankës Kombëtare dhe ato që kishte dikur Albtelekom. Tani në këto prona BKT ka filluar të ngulë kulla. Dhe kjo e rrugës Ibrahim Rugova nuk është e vetmja.
Shumë shpejt do të vijnë edhe dy të tjera me nga 40 kate. Ato do të jenë tek ish selia qendrore e BKT-së, ngjitur me Kishën Katolike. BKT është duke hyrë flirtuar haptazi me industrinë e ndërtimit, edhe pse bankat
Urbanicid dhe ekonomicid
Gjerdani i kullave që po rrethon sheshin Skendërbej vetëm sa shtohet. Ashtu sikurse shtohen dhe katet e tyre. Dy lejet e fundit të miratuara në qendër janë për kulla mbi 50 kate. Fillimisht Mount of Tirana, tani Barcelona.
Dhe ndërsa kullat mbijnë si çibanë njëra pas tjetrës në zemrën e kryeqytetit, paraja vërshon lumë nga të katra anët. Shumë thonë se e gjitha është një operacion i madh pastrimi. Tani madje as nuk po e fshehin më. Në listën subjekteve zhvilluese që marrin leje, tashmë gjen rëndom edhe njerëz me rekorde kriminale në fushën e trafikut.
Por përtej ligjshmërisë së parave që financojnë kullat dhe asfiksojnë qendrën e Tiranës, Shqipërisë po i shfaqet një problem tjetër edhe më i madh. Ndërtimi po mbyt ekonominë.
Kullat prodhojnë fitime dhe fitimet prodhojnë edhe më shumë kulla. Teksa paraja shkon e gjitha në ndërtim, sektorët e tjerë rrudhen. Ekonomia nuk krijon kapacitete të reja prodhuese, por vetëm struktura betoni parazitare, të cilat vrasin ambientin dhe keqshpërndajnë burimet. Një rreth vicioz, që bën urbanicid, por potencialisht edhe ekonomicid.
Barcelona është vetëm simboli i radhës i këtij rrethi, e cila tani po vjen dhe me një risk shtesë. Me ndërtimin në Shqipëri po mpleksen direkt edhe bankat. BKT nuk është e vetmja./ Kapitali.al