Dhuna dhe varfëria po i shtyjnë të dëshpëruarit drejt vendeve të punës dhe sigurisë, shkruan The Economist
Emigracioni i paligjshëm po bëhet një barrë e rëndë për shumë qeveri në të dyja anët e Atlantikut.
Ka filluar të përdoret sërish rruga detare e emigracionit midis Afrikës Perëndimore dhe Canary Islands, një kalim aq i rrezikshëm sa ishte shmangur për vite me radhë: rreth 30,000 njerëz janë përpjekur të bëjnë kalimin deri tani në vitin 2023.
Shtete si Gjermania, dikur miqësore me azilkërkuesit, po ulin përfitimet dhe po shpejtojnë dëbimet nga vendi. Këtë vit, gjysmë milion njerëz mund të përshkojnë Gap Darién, ngushticën që lidh Kolumbinë me Panamanë, për të arritur në Shtetet e Bashkuara.
Ky numër është mbi katër herë më i lartë se përpjekjet për kalim gjatë viteve 2010.
Ndërkohë, emigracioni i autorizuar është rritur gjithashtu. Një raport i fundit nga OECD, një klub që përbëhet kryesisht nga vende të pasura, zbuloi se 38 anëtarët e tij pranuan një rekord prej 6.1 milionë emigrantësh vitin e kaluar.
Sipas llogaritjeve nga The Economist, emigracioni drejt vendeve të pasura po rritet me ritmin më të shpejtë që prej 15 vjetësh (shih grafikun 1). Në të gjithë OECD-në, rreth 10% e njerëzve jetojnë në vende ku nuk kanë lindur.
Ka një sërë faktorësh që i shtyjnë njerëzit të zhvendosen drejt vendeve perëndimore më tërheqëse. Konfliktet në disa pjesë të Europës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Nënsahariane, po i shtyjnë me miliona njerëz të emigrojnë.
(Rreth 4.7 milionë ukrainas janë larguar nga vendi i tyre në shtete të tjera europiane). Varfëria e skajshme gjithashtu i shtyn njerëzit të zhvendosen, po ashtu edhe krimi dhe dhuna e grupeve kriminale.
Shumica e emigracionit ndodh brenda rajoneve, jo nga vendet e varfra në vendet e pasura. Por sidoqoftë, siguria e vendeve perëndimore është një faktor që i tërheq emigrantët.
Tregjet e shtrënguara të punës në vendet e pasura janë një tjetër tërheqje e madhe. Mbi 70% e emigrantëve në të gjitha vendet e OECD-së janë të punësuar dhe ky numër vazhdon të rritet. Pagat mesatare në BE tani janë mbi 12 herë më të larta se ato në Afrikën Nënsahariane.
Numri i njerëzve që dëshirojnë të emigrojnë, vetëm sa do të rritet në vitet e ardhshme. Disa shqetësohen se ndryshimi i klimës mund të shkaktojë një eksod.
Një shqetësim më i madh, nga këndvështrimi i vendeve të pasura, ka të bëjë me demografinë: ndërsa ato rriten, do të kenë nevojë për më shumë punë të importuar.
Për dekada, emigrimi neto në disa shtete të pasura ka zënë një pjesë më të madhe të popullsisë totale sesa lindjet neto (shih grafikun 2).
Gati 15 milionë banorë gjermanë, sa 18% e popullsisë, janë emigrantë të brezit të parë, një përqindje më e lartë se kulmi që arriti Amerika në vitet 1890.
Përkufizime të ndryshme
Zyrtarët që mbikëqyrin kufijtë e kanë të vështirë të përballojnë gjendjen e krijuar. Një problem është se ndërlikimi i udhëtimeve migratore të njerëzve po mjegullon një dallim që mbështetet rreptësisht nga e drejta ndërkombëtare.
Ky është dallimi midis refugjatëve (pra, atyre që nuk mund të kthehen në vendet e origjinës për shkak të “frikës se do të persekutohen”, të cilët kërkojnë ndihmë nëpërmjet sistemeve të azilit), dhe emigrantëve të tjerë.
Numri i personave që kërkuan azil në vendet e OECD-së vitin e kaluar arriti një rekord prej 2 milionë njerëzish.
Për më tepër, kushdo që shkel në një vend nënshkrues të Konventës së OKB-së për Refugjatët, e vitit 1951, mund të paraqesë një kërkesë për azil. Kjo pengon përpjekjet e qeverive për të ulur numrin e të ardhurve.
Çfarë ndodh nëse dikush që i shpëton mjerimit, dëshiron edhe një punë? Skemat e emigracionit për motive punësimi, janë shumë të vogla për të përballuar ofertën e punës emigrante ose kërkesën për të.
Kjo i lë sistemet e azilit si një nga kanalet e vetme përmes të cilave emigrantët mund të hyjnë në këto vende, pa rrezikuar dëbimin e menjëhershëm.
Shumë sisteme të pafinancuara dhe të mbingarkuara, po tendosen përtej mundësive. Vendet e pasura mbeten përballë një dileme: si mund të baraspeshohen nevojat e ekonomive të dobësuara nga demografia dhe tregjet e shtrënguara të punës, me politikën delikate të emigracionit dhe azilit?
Kisha dhe shteti
Të gjitha këto vështirësi shpalosen qartë në Amerikë. Një rekord prej 2.4 milionë emigrantësh u kapën në kufirin jugor këtë vit deri në shtator. Sistemi i azilit në vend është tendosur.
Duhen përpunuar 2 milionë kërkesa dhe nevojiten mesatarisht katër vjet për të përpunuar secilën prej tyre.
“Nuk janë ofruar para financimi për gjyqtarët e emigracionit, oficerët e azilit, njerëzit që vendosin nëse azilkërkuesit që kapen nga rojet kufitare, mund të qëndrojnë apo jo”, thotë Theresa Brown, e cila shërbeu në Departamentin për Sigurinë Kombëtare në administratat e presidentëve Bush dhe Obama.
Ndryshimi i llojit të njerëzve që vijnë, reflekton edhe vështirësitë me të cilat përballen emigrantët. Në ditët e sotme, familjet që dorëzohen menjëherë para zyrtarëve kufitarë, përbëjnë një përqindje shumë më të madhe të të ardhurve se në të kaluarën.
Muajin e kaluar, për herë të parë, venezuelianët ua kaluan meksikanëve si kombësia më e shpeshtë e emigrantëve të arrestuar në kufi. Ata arratisen nga regjimi autokratik i Nicolás Maduro-s.
Një emigrant i tillë është José Castillo, i cili po qëndron në një strehë kishtare në San Diego. Kur ai dhe emigrantët e tjerë nisen çdo ditë për të kërkuar punë, i grumbullojnë sendet vetjake në thasë plehrash, nën një tendë në kopsht.
Një statujë e Virgjëreshës Mari bën rojë. Castillo la të shoqen dhe dy vajzat e vogla në Falcon dhe më pas priti me muaj në Monterrey, në veri të Meksikës, për të caktuar një takim azili me Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit të Amerikës, nëpërmjet aplikacionit telefonik CBP One.
Aplikacioni përpiqet të kanalizojë emigrantët në rrugë ligjore dhe të ulë numrin e emigrantëve të mundshëm që dynden në kufirin jugor të Amerikës.
Por administrimi po bëhet i vështirë, për shkak të numrit shumë të lartë të kërkesave.
Një tjetër skemë e nisur vitin e kaluar, e cila ofronte një qëndrim dyvjeçar për disa kombësi nga Amerika Latine dhe Karaibet që kishin sponsor privat, fillimisht pakësoi mbërritjet në kufi nga ato vende. Por, gjithashtu, nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbushur kërkesën.
Tregu i ngushtë i punës i Amerikës (me 9.6 milionë vende të lira pune), është një tërheqje e dukshme për emigrantët. Zoti Castillo, një mekanik, shpjegon se mund të fitojë më shumë në një ditë në Kaliforni, sesa për disa muaj në atdhe.
Wayne Cornelius, profesor i Universitetit të Kalifornisë në San Diego, mendon se nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për emigrantët që kërkojnë punë në Amerikë.
Në shtator, administrata Biden dha leje të përkohshme për gati gjysmë milion emigrantë venezuelianë, për të qëndruar dhe për të punuar ligjërisht në vend.
Kjo u bë për të lehtësuar barrën mbi qytete si ai i Nju Jorkut, që donte t’u jepte azilkërkuesve të drejtën për të punuar, në mënyrë që ata të mund të përballonin strehimin.
Por republikanët dhe demokratët kanë spikatur gjithashtu një shans për të mbushur boshllëqet në tregun e punës.
Skemat formale të punësimit dhe emigrimit në Amerikë nuk janë të përshtatshme për të plotësuar nevojat e kompanive për punëtorë, qoftë me aftësi të larta ose jo.
Dhoma e Tregtisë e SHBA-së llogarit se në vitin 2024, vetëm një person për çdo dhjetë aplikantë, do të marrë një vizë pune H-1B. “Debati i politikave po zhvillohet pa marrë parasysh fare këto realitete të tregut të punës”, mendon profesor Cornelius.
Megjithatë, nëse mendoni se Amerika është në gjendje të keqe, nuk keni parë Europën. Politikanët europianë po grinden sërish për emigracionin e paligjshëm.
Kontrollet kufitare janë rivendosur në të gjithë zonën Schengen që ishte krijuar për të qenë e hapur.
Qeveritë po risjellin ide polemike si përpunimi i kërkesave për azil jashtë vendit: këtë javë, qeveria italiane e krahut të djathtë përshëndeti një marrëveshje sipas së cilës, Shqipëria do të pranonte disa nga azilkërkuesit e saj.
Vështirësitë e Europës janë më të thella se ato të Amerikës, sepse Europa nuk është një autoritet unitar. Sado e arsyeshme të duket shpërndarja e azilkërkuesve nëpër shtetet anëtare, një qeveri apo tjetra, gjithmonë do të kundërshtojë.
Sistemi i përbashkët i azilit i BE-së vendos standarde të përbashkëta, por qeveritë ruajnë me fanatizëm të drejtën për të marrë vendime vetjake për azilin.
Edhe sistemi i keqpërdorur “Dublin”, sipas të cilit azilkërkuesit duhet të kthehen në vendin e BE-së ku janë regjistruar për herë të parë, është shkelur herë pas here.
Vitin e kaluar, Gjermania mundi të kthente në vendet e tjera të BE-së, vetëm 6% të azilkërkuesve që i konsideronte se kualifikoheshin sipas rregullave të Dublinit.
Vështirësia është se Europa gjithashtu ka shumë nevojë për punëtorë. Historia e Varun Kumar Jain është tipike. Në vitin 2017, ai u largua nga vendlindja Bihar, një shtet në Indinë Lindore, për në Varshavë.
Ai vuri re se në kryeqytetin polak, mungonin konkurrentët në fushën e tij të specializimit: kuzhinën indiane. Shpejt, e shndërroi vizën turistike në një leje pune.
Pas katër vitesh pune në një restorant indian, sapo ka hapur biznesin e vet. Fëmijët ndjekin një shkollë polake dhe ai frekuenton tempullin e vetëm Sik të vendit.
Pavarësisht retorikës së ashpër kundër emigrantëve, qeveria e Polonisë është e uritur për fuqi punëtore.
Kthimi në kontinentin e vjetër
Europa e plakur do të ketë nevojë për gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj për të plotësuar nevojat në rritje të tregut të punës, për shkak të demografisë së saj.
Mosha mesatare e Europës, është 44 vjeç, dukshëm më e lartë se ajo e Amerikës, që është 39 vjeç. Sipas një vlerësimi, BE-ja duhet të importojë 50 milionë njerëz gjatë 25 viteve të ardhshme vetëm për të mbajtur popullsinë të qëndrueshme.
Ndërsa mungesat e fuqisë punëtore po rriten, vendet e pasura do të rrisin garën për emigrantët, dhe jo vetëm ata shumë të aftë. Europa ka kërkesa të mëdha për kujdestarë, shoferë kamionësh dhe marangozë.
Megjithëse emigrimi nuk mund të zgjidhë dot vështirësitë demografike të një vendi (sepse edhe emigrantët plaken), ai mund të kontrollojë ritmin e ndryshimit.
Kjo është kritike për Europën (shih grafikun 3). “Nëse bëhet një menaxhim i mirë, njerëzit në lëvizje që sot po shpërfillen, nesër do të kërkohen me padurim”, thotë Amy Pope, drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin.
Europa ndodhet pranë një rajoni ku kushtet ekonomike dhe politike i shtyjnë njerëzit të largohen. Mosha mesatare në Afrikë është 19 vjeç. Në të gjithë kontinentin, janë të disponueshme vetëm 3 milionë vende pune zyrtare për 10-12 milionë afrikanë që hyjnë në fuqinë punëtore çdo vit.
Shumica e emigrantëve afrikanë zhvendosen brenda kontinentit, siç tregojnë edhe grupet e punëkërkuesve nëpër rrugët e Afrikës së Jugut.
Një grup i dytë, veçanërisht në Afrikën Lindore, zhvendosen për punë në shtetet e pasura me naftë të Gjirit Persik, edhe pse paguajnë si çmim shkeljen e të drejtave të tyre civile.
Por një numër në rritje po bëjnë rrugën drejt Europës, dhe ndërsa Afrika po bëhet më e pasur, më shumë veta do të fitojnë mjetet për ta bërë këtë.
Udhëtimi
Për shkak se vendet nuk gjykojnë siç duhet kërkesat për azil, ulet mbështetja publike për të gjitha format e emigrimit, veçanërisht kur emigrimi për motive punësimi kanalizohet nëpërmjet sistemeve të azilit.
Është e mundur një rrugë më racionale. Nevojiten sisteme azili me burime të mira dhe skema të përshtatshme emigracioni për motive punësimi, të cilat u mundësojnë të sapoardhurve të hyjnë shpejt në tregjet e punës.
Këto duhet të jenë mjaft gjithëpërfshirëse për të ndryshuar mendimin e njerëzve që planifikojnë të bëjnë udhëtime të paautorizuara.
Por është e vështirë të përfytyrohet se skema të tilla mund të jenë ndonjëherë mjaftueshëm të mëdha sa për të përballuar të gjithë ata që mund të dëshirojnë të emigrojnë.
“Jam bërë skeptike në lidhje me premtimin e madh që mund të ulet emigracioni i parregullt duke rritur emigracionin e ligjshëm, sepse ne krijojmë ngushtica të vogla ligjore dhe jo rrugë të mëdha ligjore”, thotë Victoria Rietig, eksperte emigracioni në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, organ hulumtues në Berlin.
Kanadaja dhe Australia ofrojnë shembuj interesantë. Të dyja këto vende të pasura kanë ruajtur mbështetjen publike për norma jashtëzakonisht të larta të emigracionit (megjithëse jo pa probleme).
Vitin e kaluar, Kanadaja mirëpriti 1 milion të ardhur, duke e rritur popullsinë me afro 3%. Vendi përbënte plot 42% të zhvendosjes globale të refugjatëve (nga vendet e varfra në vendet e pasura). Australia përbënte 15%. Por është e vështirë që përvoja e tyre të merret si shembull për t’u ndjekur.
Këto vende kanë një gjeografi që u lejon të mbajnë kontrollin, e që nga ana tjetër, i shkurajon njerëzit të vijnë në mënyrë të paautorizuar.
Në të vërtetë, vështirësia e madhe e menaxhimit të emigracionit po çon në shtrembërime zyrtare. Nga njëra anë, politikanët që nuk dëshirojnë emigrantë, janë të lumtur të mbështesin politika ndoshta të paligjshme si përpunimi i kërkesave jashtë territorit të vendit ku kërkohet azili.
Nga ana tjetër, qeveritë janë gjithnjë e më të hapura për të përfshirë azilkërkuesit në tregun e punës, sapo ata mbërrijnë në vend.
Duke dhënë si arsye “mungesën gjithnjë në rritje të fuqisë punëtore”, disa shtete gjermane kanë kërkuar t’u japin azilkërkuesve të drejtën për të filluar menjëherë punën, në vend që të kalojnë muaj të tërë nëpër kurse gjuhësore dhe integrimi.
Megjithatë, në shumicën e rasteve, qeveritë ofrojnë integrim në tregun e punës nëpërmjet neglizhencës. Duke qenë të mbingarkuar, sistemet e azilit i braktisin dosjet e aplikantëve në një harresë ligjore.
Kështu, shumë gjejnë punë në të zezë dhe shpresojnë që statusi i tyre do të rregullohet; për shembull, pak azilkërkues në Amerikë presin 180 ditë ose më shumë siç kërkon ligji, përpara se të gjejnë punë ligjërisht.
Përfundimisht ata do arrijnë të marrin numrat e sigurimeve shoqërore dhe lejet e punës, duke zyrtarizuar hyrjen në tregun e punës, edhe para përfundimit të statusit të emigracionit.
Dëshpërimi po i çon qeveri të tjera në rrugë të vështira. Të ballafaquar me një numër të pamenaxhueshëm të të ashtuquajturave ardhje spontane, disa qeveri ngurrojnë të pranojnë refugjatë nëpërmjet zhvendosjes formale, shpesh të paorganizuar.
Në vitin 1980, Amerika pranoi mbi 200,000 refugjatë të zhvendosur; vitin e kaluar mori vetëm 25,000.
Disa politikanë nga e djathta kanë kërkuar rishkrimin apo edhe hedhjen poshtë të Konventës së OKB-së për Refugjatët.
Ndërkohë, progresistët shqetësohen se dispozitat e konventës, duke qenë se nuk janë rishikuar seriozisht për më shumë se 50 vjet, janë shumë të ngushta për të përfshirë ata që arratisen nga krimi i dhunshëm dhe varfëria e skajshme, për shembull, në disa pjesë të Amerikës Qendrore ose Karaibeve.
Megjithatë, nuk është aspak e sigurt se një marrëveshje më e mirë do të dilte nga hiri i marrëveshjes së vjetër, vëren Elizabeth Collett, bashkëpunëtore që punon për Institutin e Politikave të Migracionit në Australi. Thjesht hapja e diskutimit mund të çojë në heqjen e mbrojtjeve të tanishme për refugjatët.
Përfshirja e një grupi mjetesh më të zgjuara është basti më praktik. Qeveritë shpresojnë se mund të rikthejnë besimin e publikut në sistemet e azilit dhe të pengojnë ardhjet e ardhshme, duke dëbuar njerëz pa të drejtë të qëndrojnë në vend.
Zoti Biden kohët e fundit ka rifilluar deportimin e venezuelianëve.
Duke u përballur me ngritjen e popullaritetit të së djathtës ekstreme, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, së fundmi ka udhëtuar në vendet afrikane duke kërkuar marrëveshje kthimi për të përmbushur premtimin e tij për të “deportuar njerëzit, më shpesh dhe më shpejt”.
Një propozim i ri i BE-së parashikon që disa raste të azilit të gjykohen plotësisht brenda 12 javësh dhe pretenduesit të mbahen pranë kufijve.
Vitin e kaluar, pothuajse gjysma e të gjitha vendimeve për azil në të gjithë BE-në, ishin pozitive (megjithëse disa apelime janë të suksesshme). Kjo do të thotë se qindra mijë kërkues duhen deportuar.
Sigurimi i marrëveshjeve të kthimit kërkon bërje pazaresh, duke dhënë shpërblime, si ndihma për zhvillim dhe partneritete formale të emigracionit, por edhe ndëshkime, si tërheqje vizash apo heqje të privilegjeve tregtare, vëren zonja Rietig.
Vendet e mëdha me të cilat Europa duhet të lidhë marrëdhënie strategjike, është e vështirë t’i joshësh me oferta dhe t’i kërcënosh me ndëshkime të besueshme.
Në vitin 2017, Nigeria nuk pranoi kërkesat e BE-së për të rikthyer emigrantët e saj, me arsyetimin se Turqia arriti një marrëveshje më të mirë një vit më parë.
Dhe marrëveshjet me europianët arrogantë, mund të jenë jashtëzakonisht jopopullore.
Nëse qeveritë nuk mund të përmirësojnë sistemet e azilit, ato do të ndihen të detyruara të vazhdojnë të bëjnë marrëveshje të dyshimta me autokratët fqinjë, duke qenë në këtë mënyrë të cenuara ndaj shantazheve politike.
Marrëveshja e emigracionit prej 6 miliardë eurosh (6.4 miliardë dollarë) e BE-së me Turqinë në vitin 2016, ishte një përpjekje e dëshpëruar dhe kryesisht e suksesshme, për të bllokuar përsëritjen e krizës së emigracionit të vitit 2015, e cila e mundoi shumë Europën.
Nga ana tjetër, një marrëveshje e fundit prej 1 miliard eurosh me Tunizinë, një pikë popullore nisjeje drejt Europës, duket se ka ulur numrin e emigrantëve.
Në mungesë të kufijve plotësisht të hapur, gjithmonë do të ketë nxitje për emigrantët që të tentojnë udhëtime të paautorizuara. Asnjë politikë e vetme nuk mund të ulë numrin e tyre në mënyrë dramatike.
Por ndërthurja e duhur e disa politikave, mund të zbusë goditjen dhe të krijojë hapësirën për politika më bujare për emigracionin dhe refugjatët.
“Ajo që askush nuk dëshiron të dëgjojë,” thotë zonja Rietig, “është se emigracioni nuk është një problem për t’u zgjidhur, por një realitet që vetëm mund të shpresojmë ta menaxhojmë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”./Monitor