52-vjeçari Artur Petja është arrestuar nga policia e Kavajës, pasi tentoi të vriste me mjet prerës (sëpatë), një 33-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali dhe bashkë me autorin është arrestuar edhe pronari i lokalit, 44-vjeçari Elton Dedej, pasi ka ndihmuar në prishjen e vendit të ngjarjes dhe ka dhënë dëshmi të rreme në komisariat. Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas që luante lojëra fati në lokalin që 44-vjeçari e kishte përshtatur për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes 2 shtetasve, në një lokal, në lagjen nr. 4, Kavajë, kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. P., gjatë një konflikti për motive të dobëta, në lokalin në pronësi të shtetasit E. D., ka tentuar të vrasë shtetasin I. Gj., 33 vjeç, banues në Kavajë, duke e goditur me mjet prerës (sëpatë), në kokë. 33-vjeçari, pas mjekimit në spitalin e Durrësit, është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës, Tiranë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- P., 52 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë;
- D., 44 vjeç, banues në Kavajë (pronari i lokalit ku ka ndodhur konflikti), për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Organizmi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. Pas konfliktit në lokalin e tij, ky shtetas ka prishur vendin e ngjarjes, ndërsa kur është marrë në pyetje nga oficeri i Policisë, ka deklaruar se shtetasi I. Gj. ishte dëmtuar pasi ishte rrëzuar nga shkallët. Gjatë kontrollit në celularin e shtetasit E. D., shërbimet e Policisë kanë gjetur të hapura faqe që shërbejnë për lojëra fati.
Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 31 vjeç, banues në Kavajë, klient në këtë lokal, pasi edhe në celularin e tij gjetur të hapura faqe që shërbejnë për lojëra fati.
Mjeti prerës (sëpatë), celulari i shtetasit E. D. dhe i shtetasit A. D. janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.