Sot, Komisioni Evropian u ka rekomanduar liderëve evropianë që të hapin kapitujt e parë të negociatave në samitin e datës 14-15 dhjetor. Gazetari Vladimir Lame, në një raportim për Klan News, njoftoi se komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, bëri të ditur para eurodeputetëve se kjo hapje duhet të realizohet brenda fundit të këtij viti. Varhelyi theksoi se ky rekomandim pozitiv është rezultat i arritjeve të Shqipërisë në fushën e reformës në drejtësi, procesit të vettingut dhe punës së SPAK.
“Procesi i shqyrtimit të legjislacionit shqiptar në muajt e fundit ka ecur pozitivisht dhe pa probleme. Autoritetet e Shqipërisë kanë dëshmuar një nivel të lartë përkushtimi për të realizuar kërkesat e paraqitura gjatë këtij proçesi. Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë ka vijuar suksesshëm dhe po ashtu procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve i quajtur vetingu, po ecën kënaqshëm. Struktura speciale për luftën anti korrupsion SPAK ka vijuar të arrijë rezultate konkrete. Shqipëria ka dëshmuar po ashtu qasje të plotë e të njëjtë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së duke na dhënë një sinjal të fuqishëm të vendosmërisë të këtij vendi për tu anëtarësuar plotësisht në BE. Objektivi ynë është që të hapim kapitullin e parë të negociatave atë mbi çështjet themelore brenda fundit të vitit 2023 me Shqipërinë”, Varhelyi.