Ditën e sotme kreu i Partisë së Lirisë është paraqitur në SPAK, ku ka dëshmuar për rreth 2 orë.
Ndërkohë që pas doli nga ndërtesa e Prokurorisë së Posaçme, Meta u përball me vrullin e pyetjeve nga ana e gazetarëve.
Meta u shpreh se në kohën kur ka qenë zv.kryeministër apo ministër i Ekonomisë, nuk ka asnjë shkresë apo dokument të firmosur prej tij, në kundërshtim me ligjin apo në interes të dikujt.
Gjithashtu ai tha se sot është në SPAK në respekt të ligjit, ndërsa shtoi se hetimi ndaj tij është një akt i Edi Ramës, për të hequr vëmendjen ndaj skandalet e qeverisë.
Pyetjes nëse ka marrë informacion në lidhje me faktin se çfarë është bërë me kallëzimet e depozituara nga Partia e Lirisë në SPAK, Meta tha se; “Inceneratori nuk është atje, ky është problem. Nuk kam marrë asnjë informacion për kallëzimet e mia. Kemi dërguar shkresa, por nuk kemi marrë informacioni.”
Pjesë nga deklarata e Metës për mediat:
Jam këtu dhe do të jem transparent për çdo vendimmarrje që kam marrë në të kaluarën, por do vazhdojmë të mos shfokusohemi nga beteja për kapjen e shtetit. Jam këtu në respekt të ligjit.
Ishte emri i Kastriot Ismailajt pjesë e pyetje?
Nuk besoj se ka qenë, por nuk besoj se kjo është një çështje e rëndësishme.
Je i gatshëm të përballeni me drejtësinë?
Nuk më habit asnjë keqpërdorim i misioneve të drejtësisë, nuk më shqetëson, jam këtu përballe jush dhe qytetarëve për aktet e mia dhe askush nuk duhet të ketë iluzionin se në këtë mënyrë do të arrijnë të shfokusojnë jo vetëm Metën, por dhe opozitën e vërtetë.
Jeni i gatshëm të përballeni me drejtësinë?
Unë jam këtu… nuk jam këtu për përgjigje për çdo lloj mashtruesi që përdoret apo vetë ofrohet për interesa të tyre. Pjesa më e madhe kanë dhënë dëshmi.
U përfol në media për një arratisje të mundur tuajën…
Mos kini asnjë shqetësim, do të përballemi me ju, me drejtësinë dhe me çdo të vërtetë.