Pasi SPAK thirri biznesmenin ish-deputet të PS, Artan Gaçi, si person nën hetim për grabitjen me letra false të 5512 m2 tokë në Gjilekë të Himarës, mbi të cilën po ndërton resort, gruaja e tij deputete dhe ish-ministre e PS, Olta Xhaçka, tha: – Çdo gjë e kemi me ndershmëri dhe djersën e ballit, nuk kemi marrë asnjë përfitim e favorizim nga shteti.
Mirëpo Vendimi Nr. 3/9, datë 15 korrik 2021 i Komitetit të Investimeve Strategjike me kryetar Edi Ramën, fakton se ish- ministresha Olta Xhaçka mashtron, mbasi faktikisht ka përfituar jo vetëm tokë e plazh pronë shtetërore falas, por dhe favore financiare miliona lekë.
Përveç tokës së grabitur 5512 m2, për të cilën burri aktual i Olta Xhaçkës po hetohet nga SPAK; qeveria, ose më saktë Babloku me urdhër të tij e në emër të Komitetit të Investimeve Strategjike, i ka dhuruar 5080 m2 tokë shtetërore, duke i plotësuar sipërfaqen 10 mijë e 592 m2 ku ka nisur ndërtimin e resortit të saj “Dreamades Luxury Suites”.
“E ndershmja” Olta Xhacka, thotë se nuk ka marrë asnjë përfitim nga shteti, por Babloku i ka dhënë falas edhe 8000 m2 plazh publik përballë resortit, me afat shfrytëzimi për 30 vite e çmim qiraje 3 (tre) lekë/m2 në muaj, e me kushtin që plazhin ta pastrojë Bashkia Himarë dhe Agjencia e Bregdetit.
Këto janë përfitime, mbasi plazhet janë pronë shtetërore dhe mirëmbahen prej tij, por u janë hequr qytetarëve dhe i janë dhënë Olta Xhaçkës pothuajse falas; e cila për 1 m2 sipërfaqe rëre do paguajë qira 3 (tre) lekë/m2 në muaj, ndërsa 1 shezlong do ta japë me qira 8-10 Euro në ditë.
Por sipas vendimit të qeverisë, Olta Xhaçkës i është krijuar dhe një përfitim tjetër financiar me vlerë miliona lekë humbje në arkën e shtetit.
Për lejen e resortit 10 mijë e 500 m2 dhe për 8000 m2 sipërfaqe plazhi, ajo ka paguar 70 mijë lekë tarifë për shërbimet administrative dhe 15 mijë lekë tarifë menaxhimi procedurash teknike, dhe nuk do paguaj asnjë taksë tjetër për 30 vitet e lejes si “investitore strategjike”.
Në vijim, do publikojmë një vendim tjetër qeverie të ndryshuar brenda 3 muajve nga Babloku, me shkelje të plotë ligjore në favor të resortit “Dreamades Luxury Suites” të Olta Xhaçkës.
Këto që publikuam sot, janë prova zyrtare, që drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, duhet ti arkivojë në dosjen hetimore të resortit që po ndërtojnë Artan Gaçi e Olta Xhaçka në Himarë, mbi tokë të grabitur e të dhuruar nga qeveria./Pamfleti