Pretendimet e mazhorancës se Komisionet Hetimore parlamentare dëmtojnë punën e Prokurorisë së Posaçme janë hedhur poshtë nga vetë drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.
I pyetur nga INA Media nëse puna e SPAK mund të dëmtohej nga hetimi paralel, parlamentar dhe në një përgjigje me shkrim, Altin Dumani tha se nuk shpreh asnjë shqetësim në këtë drejtim.
“Komisionet hetimore, parlamentare kanë qëllim dhe funksion të ndryshëm nga hetimi që kryen SPAK, i cili është i natyrës penale. Standardet e provueshmërisë së procesit penal janë më të larta dhe procedura e ndjekur për ngritjen e një akuze është shumë më rigoroze”, – tha kreu i SPAK.
Ai shton se ligji parashikon që Prokuroria e Posaçme mund të bashkëpunojë me komisionet hetimore, parlamentare, sipas dispozitave ligjore në fuqi. Duke theksuar se “në çdo rast hetimi penal është i pavarur”, drejtuesi i Prokurorisë Speciale se “Prokuroria e Posaçme ka qenë dhe është e vëmendshme ndaj hetimeve të kryera nga komisionet parlamentare për ato vepra penale që janë në juridiksionin e saj”. As ekspertët e së Drejtës kushtetuese nuk e shohin të bazuar “shqetësimin” e mazhorancës, se një hetim parlamentar, i drejtuar nga opozita mund t’i prishë punë prokurorisë.
Nuk dihet nëse fjalët e Dumanit do të ndikojnë edhe te mazhoranca, që deri në pranimin e Komisioneve Hetimore, duket se nuk do të mund të zhvillojë asnjë seancë plenare apo Komision parlamentar për shkak të bllokimit nga opozita./MEDIA DITARI