Jeta Deda ka njoftuar dorëheqjen si Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Këtë lajm Deda e ka konfirmuar me një postim në rrjetet sociale ku jep falënderimet e rastit, por nuk jep shkaqet e largimit.
Evidentojmë se përpos falenderimeve të shumta, në shkrimin e gjatë që ka postuar nuk ka shprehur arsyen pse po dorëhiqet nga posti si drejtoreshe e AKU-së.
“Të nderuar miq e kolegë,
Prej sot mbyll një kapitull të bukur të jetës time profesionale, duke u tërhequr nga detyra si Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe duke ndjekur një orientim tjetër profesional.
Ndahem nga një ekip, të cilin e falenderoj për çdo punë të mirë të kryer së bashku.
Shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Kryeministrit e Këshillit të Ministrave për besimin e dhënë dhe ish-Ministres Krifca dhe Ministres aktuale Denaj, me të cilat arrita të bashkëpunoj gjatë kësaj udhe.
Po ashtu, mirënjohëse ndaj stafit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për mundësinë e shërbimit në këtë detyrë, pasi mbështetja juaj e pakufi dhe bashkëpunimi kanë qenë kryefjala në gjithë rezultatet e arritura së bashku në lëmin e sigurisë ushqimore.
Një falenderim i veçantë i takon ekspertëve shumëvjeçarë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Dedikimi dhe puna e tyre janë rregullatorët e sistemit dhe standardeve që duam të vendosim, në rrugëtimin drejt integrimit europian e kryesisht në shërbim të atdheut.
Nuk kam dyshim se kjo skuadër do të shkëlqejë me këdo menaxher që iu bashkohet.
Teksa bëhem gati për angazhime të reja, e shikoj kohën si Drejtore e Përgjithshme e AKU-së me mirënjohje të thellë për përvojën e marrë, dijet e përftuara dhe marrëdhëniet e mira të ngritura.
Falenderime për mbështetjen dhe besimin gjatë këtij rrugëtimi! Ka qenë nder të shërbej në këtë detyrë”, shkruan Jeta Deda në Facebook.