Drogimi dhe më pas abuzimi në grup i 26-vjeçares në Vlorë ka tronditur opinionin publik. Ndërkohë që lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe institucioni i Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit i inkurajon organet ligjzbatuese që ta zbardhin me përparësi rastin dhe të ndërmarrin hetime të shpejta dhe sa më efektive për vënien para përgjegjësisë të personave që e shkaktuan këtë ngjarje të dënueshme.
Gjithashtu Avokati ka reaguar dhe për kërcënimin që i është bërë gazetares Afrovita Hysaj, e cila ka raportuar mbi ngjarjen e rëndë.
“Ndërkohë, sikurse është bërë me dije në opinionin publik, të tjera incidente janë shënuar në lidhje me këtë rast, që përfshijnë përdorimin e dhunës verbale, gjuhës denigruese dhe kërcënimit për jetën drejtuar gazetares Afrovita Hysaj, e cila ka raportuar mbi ngjarjen e rëndë.
Avokati i Popullit, dënon ashpër çdo formë që cenon lirinë e shprehjes, të cilën nuk e konsideron një privilegj por një të drejtë themelore.
Sulme të tilla në një shoqëri demokratike janë të pajustifikuara dhe cënojnë ndër të tjera kurajon profesionale për gjurmimin e së vërtetë
Në sferën e lirisë së shprehjes, Avokati i Popullit është i angazhuar për të siguruar që kjo e drejtë themelore të mbetet e pacënuar, duke i inkurajuar të gjithë profesionistët e medias ta sfidojnë padrejtësinë dhe t’i japin zë mbrojtjes së të vërtetës”-njofton Avokati.