I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak bashkë me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara Gabriel Escobar si dhe këshilltarët e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, do të qëndrojnë të shtunën në Prishtinë dhe në Beograd, në një përpjekje për të ripërtërirë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, mes shqetësimeve që pasuan sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri të saj.
Diplomatët perëndimorë thonë se 24 shtatori dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër më 27 shkurt dhe 18 mars të këtij viti.
Bashkimi Evropian tha se “kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha më 17 tetor në Tiranë se Franca po i ndjek po i ndjek me vëmendje tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar marrëveshjen “një udhërrëfyes solid dhe të mirë”.
Tensionet mes palëve arritën një pikë të pashembullt që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, pas një sulmi të një grupi të armatosur serbësh me 24 shtator në veri të Kosovës.
“Mendoj se është përgjegjësi e presidentit (serb Aleksandar) Vuçiç që të dënojë më vendosmërinë me të madhe aktin e 24 shtatorit. Kjo do kontribuonte në rivendosjen e qetësisë në kufi”, tha presidenti Macron duke shtruar pritjet nga të dyja palët.
“Hapat e ardhshëm dhe çfarë presim nga autoritetet e Kosovës dhe ato serbe janë të thjeshta: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto janë bërë në kushte të papërshtatshme; pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës. Kushtet duhet të plotësohen në këtë radhitje, në tërësi dhe plotësisht”, tha presidenti Macron, i cili nxiti shumë debate në një deklaratë me të cilën paralajmëroi Kosovën për mbajtjen e premtimeve lidhur me shtensionimin e situatës me Serbinë.
“Dua ta them një gjë shumë qartë. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Për sa i përket Francës, ato (vizat) janë hequr sepse Franca e mban premtimin e dhënë. Ndërsa fjala sot nuk po mbahet”, tha presidenti francez në Tiranë.
Komentet e zotit Macron fillimisht u interpretuan nga shtypi në Shqipëri dhe në Kosovë si mesazh se Franca po tërhiqej nga vendimi për liberalizimin e vizave.
Vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
Kryeministri shqiptar Edi Rama tha të enjten në mbrëmje në një intervistë në emisionin Opinion me Blendi Fevziun se presidenti Macron, “si të gjithë të tjerët, por edhe ndoshta pak më shumë se të tjerët është vetvetiu i lënduar me faktin që edhe pse është angazhuar personalisht bashkë me kancelarin (gjerman Olaf) Scholz për të vënë në tavolinë një plan që quhet plani franko-gjerman dhe që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës në këtë fazë të historisë së saj dhe duke diskutuar, më tha që unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman”.
Kryeministri Rama tha se presidenti Macron foli për disa javë në vijim si periudhë e mundësive për Kosovën.
“Pra duhet të ketë lëvizje në drejtimin e duhur se nuk mund të merret peng gjithë bashkësia e aleatëve dhe e miqve të Kosovës, nuk mund të merret peng i gjithë komuniteti euroatlantik për t’i bërë karshillëk një përpjekje të tyre, shumë, shumë të vendosur dhe po kaq të sinqertë për të zgjidhur çështjen e vetë Kosovës”, tha kryeministri Rama.
Të premten, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se “marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen de fakto reciproke dhe sa më parë që zbatohet ajo, do të kemi jo vetëm normalizim demokratik e evropian por edhe siguri për vendin tonë dhe rajonin”.
Vëzhguesit e pavarur thanë ndërkaq se deklarata e presidentit Macron mund të shihet si një formë trysnie ndaj palëve para takimeve të së shtunës që përfaqësuesit perëndimorë do të zhvillojnë në Prishtinë dhe në Beograd, ndërsa çështja e vizave për qytetarët e Kosovës nuk është aktualisht një çështje politike por një çështje ligjore.
Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, një shtet i bllokut nuk mund të pezullojë në mënyrë të njëanshme liberalizim e vizave për një shtet tjetër. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes procedurave në Këshillin e Bashkimit Evropian nëpërmjet një “mekanizmi për pezullimin e vizave”, që lejon pezullimin në “situata të veçanta”.
Në këtë kuadër përmendet refuzimi nga ana e Komisionit Evropian në qershor të vitit 2019 i kërkesës së qeverisë së Holandës për të pezulluar udhëtimin pa viza në zonën ‘Shengen’ për shtetasit shqiptarë, meqë, siç thuhej në deklaratën e Komisionit, “nuk ka arsye të mjaftueshme për të pezulluar Shqipërinë nga regjimi i udhëtimit pa viza”.
Mekanizmi për pezullimin e vizave mund të aktivizohet në rast të rritjes së migrimit të parregullt, shtimit të kërkesave për strehim, mosbashkëpunimit në procesin e riatdhesimit të atyre që shkelin rregullat e qëndrimit në zonën Shengen dhe në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Vëzhguesit e pavarur thonë se ky mekanizëm nuk mund të shfrytëzohet në këtë periudhë për Kosovën dhe pezullimi do të kërkonte një kudër të ri ligjor brenda bllokut. Por njëkohësisht, ata tërheqin vëmendjen se Franca është ndër vendet më të rëndësishme dhe më me ndikim të Bashkimit Evropian./ VOA