Ditën e sotme një kaos i vërtetë ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që bëri të mos zhvillohej normalisht seanca.
Kryeminsitri Edi Rama thotë se nuk ka patur dijeni se opozita ditën e sotme bllokoi punimet e parlamentit. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Rama tha se ka punë të tjera më të rëndësishme për të ndjekur. Kryeministri tha se ai nuk e di se kush është PD e vërtet pasi janë të përçarë, ndërsa sulmoi ish-kryeministrin Sali Berisha, duke thënë se përfaqëson “botën tjetër” dhe jo qytetarët opozitarë.
“Nuk e kam ndjekur fare këtë zhvillim në parlament. Para se të vija këtu lexova informacione e ditës dhe lexova që parlamenti ishte bllokuar dhe ishte pamundësuar deputetëve të Ps dhe ministrave të merrnin vendin e tyre në sallë. Nga bota tjetër unë e mora këtë informacion. Nuk kam detaje pasi parlamentin e menaxhojnë të tjerë. Kryetarja, nënkryetarja ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe kam besim te ato. Çdo gjë që bëj në rrafshin ndërkombëtar e bëj si kryeministër dhe për Shqipërinë. Unë jam shumë i informuar se çfarë ndodh në Shqipëri, marr raportin çdo mëngjes, ku nuk përfshihen dinamika e partive politike. Se çfarë ndodh me një botë që nuk la lidhje me Shqipërinë, unë nuk merrem. Për fat keq kjo opozitë duhet të përfaqësoj ato vota, por nuk i përfaqëson. Përfaqëson një çorbë, në vend që të jenë përfaqësues të njerëzve, por janë mëshirues të interesave të tyre. Fole për PD, por unë nuk e di se kush është PD. Janë më shumë se dy copa dhe më shumë se 7 çika. Unë as që duhet t’i injoroj apo vlerësoj. Unë jam në detyrën time, kamë shumë ngarkesa që lidhen me punën e përditshme dhe kjo gjë është shumë larg vëmendjes time. Berisha është përfaqësues i botës tjetër,” tha Rama.