Babai i 3-vjeçarit, që humbi fatkeqësisht jetën pas ndërhyrjes te dentisti ka treguar më shumë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë.
Në një intervistë për “News 24” babai i Brianit shprehet se pas humbjes së fëmijës së tyre. gjendja e gruas është e përkeqësuar, pasi ajo është edhe lehonë, nënë e një djali 2 muajsh. “Gjendja e gruas është e rënduar. Është lehonë, se djali i vogël është 2 muajsh. Brian i kishte vënë dhe emrin. Kërkoj të drejtën që ai doktor mos të ekzistojë më. Nuk mund ta quaj më mjek, as atë as stafin që ka atje. Shqetësimi ishte mbidoza e narkozës” Gjithashtu i ati i 3-vjeçarit shprehet se vendosën ta dërgojnë tek ajo klinikë duke marrë parasysh se mjeku Roland Xhaxho njihej si anestezist, pra vendimi i tij u ndikua nga të tjerët.
Ai konfirmon faktin që djali i tij kishte realizuar para dy vitesh një operacion në zemer, duke shtuar se ky fakt është diskutuar paraprakisht me doktorin, madje është marrë edhe një vërtetim nga kardio-pediatri Albert Kroja. Sipas vërtetimit që është dorëzuar në klinikën dentare, Briani nuk vuante nga zemra aktualisht dhe lejohej kryerja e ndërhyrjes.
Pse vendosët ta dërgonit te kjo klinikë?
Duke marrë miratimin e edhe shumë të tjerëve, se mbahej si dentisti anestezist. Djali kishte për mbushje dhe pastrime. Nuk kam qenë kurrë për konsultë. Kam shkuar personalisht me gjithë të dhënat dhe i kam treguar për problemin. Djali im për herë të parë në klinikë shkeli në 28 tetor, ditë të tjerë nuk ka qenë.
A ka pasur djali probleme me zemrën?
Djali ka bërë një operacion para dy vitesh në zemër. Kam diskutuar dhe me doktorin. Kam marrë dhe një konsultë, një vërtetim nga kardio-pediatri, nga Albert Kroja, që ndiqte Brianin, që thoshte; Briani nuk vuan nga zemra, të bëhet ndërhyrja. Ia thashë doktorit për ndërhyrjen. Më tha nuk ka asnjë problem. Ia kisha dërguar dokumentin më parë.
Çfarë vendosët të bënit në datën 28 për djalin?
E çova për pastrim dhëmballe dhe disa mbushje. Në kohën që ky vazhdonte me ndërhyrjen, duke e pyetur disa herë, ai thoshte; po i pastrojmë gurëzat. I kam thënë nëse është mënyra që t’i bëjmë me seanca.
Me kë shkuat?
Me nusen, gjyshin dhe kunatin. Djali ishte i qetë. Nuk kishte bërë asnjë kurim në gojë, për infeksion. Analizat i bënim çdo 6 muaj. Analizat i bëri atje në datë 28 shtator. Ia ka bërë analizat në çast. Tha; analizat janë në rregull, do vazhdojmë procedurën. E kam pasur komunikimin me mjekun, Roland Xhaxhon, dhe Ina Xhaxhon, dentisten. Ai më tha se do të zgjaste 2 orë e gjysmë ndërhyrja dhe deri në 1 orë dalja e anestezisë, anestezi të gjeneruar dhe jo totale. U fut në 10 të mëngjesit, 10 pa 5 diçka e tillë, qëndruam gati 2 orë pa folur. Pyeta represionin, te dera disa herë. Procesi tha ishte në rregull. Rreth orës 3 ose 3 e gjysmë doli doktoresha tha se procesi vazhdon në rregull. Kërkuam doktorin personalisht. Në orën 7 ka dalë djali nga klinika. Ne në dhomë kemi hyrë rreth orës 6, ka hyrë nusja. Kur kemi dalë, djali nuk ishte i përmendur. Mjeku ka thënë që djali ka dalë duke qarë, djali ka dalë i përgjumur. E dyta, pjesa e pagesës se është shumë e rëndësishme, në fund më ka thënë për 14 dhëmbë. Pagesa u bë në fund, madje u pagua 300 euro në fillim për anestezinë. Anestezia pagesën e ka, 300 euro në fillim dhe për çdo orë 70 euro. Rreth 370 euro shtesë bëri. Mjekun e telefonova kur filloi t’i hipte temperatura, e kishte fillimisht 38.2, u bë limon i verdhë. Më pas i shkoi 39 e gjysmë. I dhashë vetëm algofrenin që i ka dhënë ai. Nuk ia uli dhe pastaj shkuam në spital që e futën në reanimacion. Është e pavërtetë që djali ka folur. Të shihen kamerat, sa ka qarë dhe të gjitha. Pas operacionit djali nuk ka thënë asnjë fjalë. Më shikonte në sy, nuk është se reagonte. Pas operacionit asgjë, ishte përgjumësh. Briani ishte i qetë. Mjeku 100% e ka ditur çfarë ka bërë, prandaj nuk e hapte telefonin. Mjeku ditën e nesërme ka ardhur në pediatri, rreth drekës. Në spital mjekët na thanë është në gjendje të rënduar nga mëlçia, nga narkoza. Na thanë që po i hiqnin narkozën.