Lidhur me ngjarjen e 3-vjeçarit Brian që humbi jetën pas vizitës te dentisti, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet.
Bëhet e ditur se Prokuroria ka sekuestruar kartelat në klinikën private ku është kryer operimi dhe kartelën në QSUT ku djali është dërguar në gjendje kome. Hetimet kanë nisur edhe për Ina Xhaxhon vajzën e mjekut, pasi edhe ajo kishte marrë pjesë në operacionin e të miturit
REAGIMI I PROKURORISE:
Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e madhe të opinionit publik për ngjarjen ku i mituri me inicialet B.S., humbi jetën pas trajtimit në një klinikë private, si dhe interesin e shtuar të medias në lidhje me këtë çështje, Prokuroria Tiranë dëshiron të informojë se:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Nr.4 më shkresën Nr.7057/k Prot të datës 04.10.2023, ka regjistruar më datë 05.10.2023 procedimin penal nr.6477 të vitit 2023, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96 i Kodi Penal. Nga ana e prokurorisë, po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit.